KMDLNj iu bën thirrje publike deputetëve të votojnë ligjin anti-COVID

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut përmes një komunikate për media ka thënë se pandemia e shkaktuar nga COVID-19 po ndikon keq në çdo aspekt në jetën e qytetarit të Kosovës, nga ai material deri te e drejta për jetë.

“Pasi u identifikuan rastet e para, qeveria Kurti ndërmori masa radikale në nivel vendi duke e zbatuar karantinizimin e detyrueshëm përkundër faktit se nuk kishte bazë ligjore e që e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese me dy vendime ku shprehimisht thoshte se me vendimin e qeverisë po shkelen të drejtat e njeriut, e drejta e lëvizjes së lirë”,thuhet në komunikatë.

KMDLNj , ka thënë se midis dy të drejtave, e drejta për jetë dhe e drejta për liri të lëvizjes ishte përcaktuar për të drejtën për jetë si e drejtë mbizotëruese prandaj e kishte përkrahur vendimin e qeverisë Kurti, deri në krijimin e një baze ligjore.

“Në ndërkohë ishte një nismë e kryetares së Kuvendit , Vjosa Osmani për votimin e një ligji anti-  COVID i cili, për shkaqe të mospajtimeve politike u bllokua duke ndikuar në jetën dhe shëndetin e qytetarit”, thuhet në komunikatë.

Sipas KMDLNj, qeveris Hoti, për shkak të përshkallëzimit të pandemisë dhe pasojave të rënda për jetën e qytetarit rivendosi kufizimet e lëvizjes në katër qytete të Kosovës : Prishtinë , Prizren,  Ferizaj dhe Vushtrri e që dallon nga vendimi i qeverisë Kurti prandaj, sipas KMDLNj-së nuk bie në kundërshtim me Kushtetuten e Kosovës.

“Po të ishte votuar me kohë Ligji anti – COVID,  sot do ta kushom një bazë ligjore që do ta bënte shumë më efikase luftën kundër pandemisë dhe pasojat do të ishin shumë më të vogla.  Për KMDLNj është e pakuptueshme që qeveria po e pret datën e fundit të 11 korrikut në vend se të veprojë me urgjencë dhe në përputhje me situatën e krijuar ku seriozisht po rrezikohet jeta e qytetarëve të Kosovës , me pasoja shumë më të rënda”, thuhet në njoftim.

KMDLNj iu bën thirrje publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përkatësisë partiake e të cilët përfaqësojnë dhe mbrojnë intereset e të gjithë qytetarëve që të votojnë ligjin anti COVID,  ndryshe përgjegjësia do të adresohet te ata.