Burgu, ilustrim

KMDLNj: Qendra e Ndalimit në Prishtinë është në gjendje të rëndë, s’ka ngrohje e as dritë natyrale

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMLDNj) ka vlerësuar se Qendra e Ndalimit në Prishtinë nuk i plotëson kushtet elementare për t’i mbajtur personat që ndalohen për shkelje të ligjit prej 48 orësh.

Përmes një komunikate për media, KMLDNj tha se Qendra funksionin në një bodrum, ku mungon drita natyrale dhe mungon ngrohja, gjë që e bën të pamundur qëndrimin e personave të ndaluar dhe stafin që punojnë aty.

Sipas organizatës që mbron dhe promovon të drejtat e njeriut, vizita në Qendër është bërë të enjten, më 18 maj.

“Qendra e Ndalimit në Prishtinë si objekt nuk i plotëson kushtet as elementare për të mbajtur persona të privuar nga liria por as për stafin i cili është i angazhuar. Aty mungon ndriçimi natyral, për shkak se është podrum dhe nuk ka ajrosje. Kjo e bënë më të vështirë për personat të cilët janë në qëndrim deri në 48 orë në këtë Qendër, por edhe për stafin e angazhuar” – thuhet në njoftim.

KMLDNj kërkoi nga institucionet, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Termoskos, që të sigurohet ngrohje për objektin ndërsa njoftoi se gjatë vizitës evidentuan se në këtë qendër ishin vetëm tre të ndaluar.

“Gjatë takimit me të ndaluarit, u shprehen të kënaqur me sjelljet e stafit të Qendrës së Ndalimit në Prishtinë. Ata na pohuan se janë njoftuar me të gjitha të drejtat që u takojnë, dhe të njëjtit nuk patën asnjë vërejtje as për sjelljen e Policisë së Kosovës që nga momenti i arrestimit, transportit apo dhe intervistimit” – thuhet tutje në komunikatë.