
SBAShK: Ministria e Punës nuk duhet t’ia kërkoj faturën e tatimit në pronë mësimdhënësve të viteve të 90-ta
SBAShK-u ka reaguar pas njoftimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të datës 24 korrik drejtuar punëtorëve të pensionuar të viteve të 90-ta që të aplikojnë për shtesën materiale në pensionin bazë të cilën e garanton Ligji.
Sipas tyre një aplikim i tillë në të cilin i kërkohen edhe pagesat për tatimin mbi pronë nga ministria e Punës, është në kundërshtim me udhëzimin Administrativ të nënshkruar nga Ministri Bytyqi më datë 19 korrik.
“Krahas gjithë atyre dokumenteve , që kërkon Udhëzimi , kanë shtuar edhe një, gjegjësisht faturën e tatimit në pronë. SBASHK-u konsideron se kjo Ministri duke mos respektuar përmbajtjen e Udhëzimit Administrativ nr. 16, nënshkruar nga Ministri Bytyqi po kushtëzon punëtorët e pensionuar të arsimit shqip që do të aplikonin për të gëzuar të drejtën e tyre”, thuhet në komunikatën e SBASHK-ut.
Tutje në reagimin e tyre Sindikata ka theksuar se kjo kërkesë e ministrisë nuk është ligjore, duke kërkuar nga KMLDNJ dhe Institucioni i Avokatit të popullit të reagojnë për këtë rast.
“Konsiderojmë se mbledhja e tatimit në pronë dhe e tatimeve tjera nuk është kompetencë e MPMS-së, po e Administratës Tatimore dhe prandaj nuk është as ligjore që kjo Ministri të kushtëzojë aplikuesit me këtë lloj dokumenti, i cili nuk kërkohet në Udhëzimin Administrativ që lidhët pikërisht me Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet e 90-ta. SBASHK-u apelon publikisht te z. Bexhet Shala dhe KMLDNJ, që nuk heziton të hedh gurë pa të drejtë mbi ne, të deklarohet është apo nuk është kushtëzim kërkesa e faturës në pronë për aplikuesit e Ligjit të viteve të 90-ta. SBASHK-u me mirësi i drejtohet publikisht edhe Avokatit të popullit që të deklarohet rreth çështjes së ngritur”, thuhet tutje në reagim.