Kthimi i normalitetit në vend, për Hotin në pranverë, për Zemajn në verë

Mospërputhje të deklaratave mes kandidatit për kryeministër të LDK-së, Avdullah Hoti dhe ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj sa i përket kthimit të normalitetit në vend pas situatës me virusin COVID-19.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha sot gjatë një vizite në Spitalin e Vushtrrisë tha se vaksina për coronavirus do të vijë së shpejti dhe sipas tij, në muajt qershor dhe korrik, vendi do t’i kthehet normalitetit.

“Vaksina po vjen, prioritet i vaksinimit do të jetë personeli shëndetësor dhe shpresojmë së në qershor dhe korrik t’i kthehemi normalitetit në vend”, tha Zemaj.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, më 27 janar kishte deklaruar se në fillim të stinës së pranverës do të kthehet normalitetit në vend.

“Vaksinimin e kategorive të rrezikuara do ta përfundojmë në muajt mars dhe prill dhe do ta kthejmë normalitetin në këtë vend në fillim të pranverës. Bizneset të mund të bëjnë planifikime qysh tash për t’iu kthyer normalitetit”, kishte thënë Hoti në një debat në ‘RTK’.

Deri më tani, në vendin tonë, janë shënuar 61,688 persona të infektuar me COVID-19, 53,455 të shëruar dhe 1,511 të vdekur.