KShC do të zbatojë procesin e akreditimit në distancë

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KShC) i Republikës së Kosovës, më 17 prill 2020, ka mbajtur mbledhjen e 81-të të rregullt.

Siç ka njoftuar AKA, në mbledhje KShC ka trajtuar një varg çështjesh (kërkesa, aplikacione, raporte) rreth akreditimit.

Po ashtu thuhet se  KShC-ja shqyrtoi kornizën e akreditimit dhe strategjinë e organizimit të akreditimit insitucional dhe të programeve të studimit në rrethanat e emergjencës shëndetësore të COVID-19 në Kosovë.

“KShC-së ka marrë vendim që Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) të zbatojë procesin e akreditimit në distancë. AKA fillimisht do të organizojë akreditimin institucional të institucioneve të arsimit të lartë”, thuhet në njoftim.

“Procesi i akreditimit do të zhvillohet krahas standardeve të akreditimit të AKA-së dhe duke shqyrtuar praktikat më të mira të akreditimit në rajon dhe në Evropë gjatë situatës së jashtëzakonshme të pandemisë. AKA do të informojë me kohë të gjitha institucionet e arsimit të lartë mbi hapat e ardhshëm rreth akreditimit institucional”, është thënë më tej.

KShC po ashtu ka ftuar  institucionet e arsimit të lartë të ndajnë informacion me AKA-në rreth riorganizimit të administrimit institucional dhe programeve të studimit në distancë, sfidave me të cilat përballen, dhe përgjigjet ndaj tyre gjatë kësaj situate të emergjencës shëndetësore në Kosovë.

“KShC-së mbetet i përkushtuar për zhvillimin e vazhdueshëm dhe për mbështetje të institucioneve të arsimit të lartë për sigurim të cilësisë në programet e studimeve gjatë kësaj situate të vështirë të pandemisë globale”, përfundon njoftimi.

KALLXO.com ka monitoruar mbledhjen e së premtes të Këshillit Shtetëror të Cilësisë.