Kuvendi i Kosovës 10.07.2023

Kuvendi ratifikon anëtarin ndërkombëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Me 71 vota për, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar anëtarin ndërkombëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë Kosovare të Akredimit, Jaakko Kauko.

Sipas ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, Jaakko Kauko është profesor dhe prodekan në Universitetin e Helsinikit në Finland.

“Sipas legjislacionit në fuqi, KShCAKK duhet të ketë së paku tre anëtarë ndërkombëtar dhe aktualisht janë vetëm dy. Anëtari që e kemi sjellë sot është profesor finlandez i cili është arritur të kemi miratimin e tij në bashkëpunim me Ambasadën e Finlandës. Ai është profesor me integritet të lartë akademik. Është prodekan dhe drejtues i grupit kërkimor arsimit në shkencat politike dhe arsim. Në vitin 2015 ka marrë titullin docen në politikat arsimore në Universitetin e Helsinkit, në vitin 2011 titullin e doktoraturës në Universitetin e Helsinikit” – tha ministrja Nagavci.

Në këtë seancë të jashtëzakonshme me këtë pikë të vetëm të rendit, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka thënë se partia e saj do të votojnë pro “për të mirën e studentëve”.

“Si grup parlamentar i LDK-së për kundër të gjitha këtyre zhvillimeve, kemi vendosur të votojmë për anëtarin e Këshillit të Cilësisë për arsyeje se Agjencisë i ka humb kuorumi dhe janë me dhjetra programe të Universitetit të Prishtinës dhe ato publike që po presin bashkë me maturantët për pranimin në konkurset në universitete publike. Nuk po e votojmë për ju, nuk e meritoni. Nuk besojmë në politikat e ministres sepse është shkelëse e kushtetueses. Nuk besojmë në politikat e ministrit Murati i cili deputeteve ju thotë ‘po rreni’. Mirëpo ne, votojmë për mijëra studentë që presin të hapën konkurset”- ka thënë Bajrami.

Ndërkaq, deputetja nga Partia Demokratike Kosovës (PDK), Eliza Hoxha tha se vendimi i PDK-së për mosvotim është vetëm “politik” dhe jo që “nuk ia duan të mirën studentëve”.

“Sot po zgjedhim një anëtar ndërkombëtar për KSHC për të krijuar kuorum dhe mundësi për të kalu krejt programet sidomos  të universitete publike që është gjë e mirë, po ajo që është jo e mirë – është se këto programe në vend se të verifikohen dhe të validohen nga komplet anëtarët e KShC-së që është dashur të krijohet komplet grupi, do të validohen vetëm nga tre anëtarë ndërkombëtar dhe plus një i Kosovës. Aty nuk janë të gjithë të fushave siç kërkohet në Ligj. Ju sot edhe mund ta kaloni, dhe është mirë nëse e kaloni”

“Vendimi i PDK-së është i qartë, për mosvotim është politik dhe jo pse nuk duam të votojmë për KShC-në ose për të mirën e studenteve, por kjo ministre që çdo verë e bjen idenë e KSHC-së për akreditimin e programeve për dëshirat e asaj, është e pafalshme” – ka thënë Hoxha.