Qeveria e Kosovës, Foto: Albin Kurti Facebook

Klemen Miklaviq propozohet nga Qeveria për anëtar të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme i ka dërguar Kuvendit të Kosovës për miratim emrin e Klemen Miklaviq, për anëtar ndërkombëtar në Këshillin Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë për Akreditim, kështu duke bërë një hap drejt kthimit të funksionalizimit të këtij bordi.

Zv.ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Edona Maloku – Bërdyna tha se emërimi i tij është i rëndësishëm, sepse ky Këshill kishte mbetur pa asnjë anëtar ndërkombëtar, pasi tre ish-anëtarët paraprak kishin dhënë dorëheqje.

Më 27 korrik, më pak se një muaj prej që u votuan në Kuvendin e Kosovës si anëtarë, tre ish-anëtarët ndërkombëtarë të KShC-së, Alison Felce, Cassie Barnhardt dhe Werner Stueber dhanë dorëheqje nga këto pozita, duke treguar se deklarimi i pasurisë së tyre në Kosovë është arsyeja kryesore.

KShC është institucion që merr vendim për akreditim të institucioneve dhe programe të tyre me shumicë votash të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të vet, por asnjë vendim i KShC-së për akreditim/riakreditim nuk mund të merret pa pjesëmarrjen e të paktën një anëtari ndërkombëtar.

Ndërsa, deri tek emërimi i anëtarëve siç parashihet sipas nenit 7, pikës 4 të Ligjit për Arsimin e Lartë, anëtarët e propozuar duhet të ratifikohen në Kuvendin e Kosovës.

Aktualisht në këtë bord kanë qenë vetëm anëtarët vendor: Hasnija Ilazi, Gëzim Tosuni, Krenare Pireva-Nuçi, Seb Bytyçi, Dukagjin Zeka dhe Rozafa Koliqi.

Avazi i vjetër i dorëheqjeve të anëtarëve ndërkombëtarë të KShC-së