Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kontestohet kandidimi i dy personave për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë

Kandidimi i Driton Velës dhe i Mirlinda Batallit për anëtarë të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KSHC) u kontestua sot në mbledhjen që mbajti komisioni për zgjedhjen e këtyre anëtarëve në Ministrinë e Arsimit.

MASHTI kishte paralajmëruar që përzgjedhja e anëtarëve të KSHC-së, të cilët duhet të aprovohen në Qeveri e pastaj të shkojnë në Parlament, do të kryhej në korrik por kjo nuk ndodhi këtë muaj dhe procesi prapë u shty për nesër, pasi që u anulua para një muaji.

Arbisa Shefkiu, anëtare e këtij komisioni, si përfaqësuese e shoqërisë civile, ngriti shqetësimet e saj lidhur me këta dy kandidatë.

Driton Vela, sipas anëtarëve te komisionit, ka shkruar në CV-në tij se ka qenë bartës i programit PhD për Mjekësi Paraklinike në vendimin për riakreditimin e programit për periudhën tetor 2022 – shtator 2025.

“Driton Vela ka shënuar në CV-në e tij se ka qenë bartës i programit PhD Mjekësi Paraklinike dhe ka dorëzuar si dokument raportin e vetëvlerësimit të vitit 2022 ndërsa ne uebfaqen e Agjencisë për Akreditim, në vendim të vitit 2022 për riakreditim të programit Mjekësi Paraklinike figuron se ai nuk është bartës” – tha Shefkiu.

Ajo tha se ai mund të ketë qenë kontribues por jo bartës, marrë parasysh vendimin e Agjencisë së Akreditimit.

KALLXO.com ka kontaktuar Driton Velën lidhur me këtë çështje. Vela thotë se ka dorëzuar raportin e vetëvlerësimit, ku thotë se emri i tij paraqitet si bartës.

Në uebfaqen e Kolegjit UBT, Driton Vela figuron si staf me orar të plotë, e në të njëjtën kohë ai punon në Universitetin e Prishtinës si asistent me orar të plotë.

Por, ai mohoi të ketë qenë ndonjëherë me orar të plotë në UBT dhe tha se asnjëherë s’ka qenë i rregullt.

Vela ka qenë edhe kandidat për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2019, mirëpo ai nuk arriti t’i fitojë votat për t’u bërë deputet.

Udhëzimi administrativ për kriteret dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, mbi të cilin është shpallur konkursi, thotë që anëtarët e këtij Këshilli nuk mund të kenë ushtruar post politik në dy vitet e fundit.

Vela tha se nuk ka pasur post politik dhe anëtarësia në partinë që është në pushtet i ka skaduar në vitin 2021.

Rektori Qerim Qerimi në mbledhjen e sotme tha se kjo duhet të shihet dhe të vërtetohet.

Shqetësimi i Arbisa Shefkiut lidhur me kandidaten tjetër, Mirlinda Batalli, nga Fakulteti Juridik, ishte fakti që ajo ka qenë e angazhuar në Kolegjin AAB, mirëpo këtë detaj e ka anashkaluar krejtësisht në CV-në e dërguar në komision.

Mosparaqitja e gjithë vendeve të punës në arsimin e lartë për një kandidat paraqet dilema për integritetin e anëtarëve të KSHC-së pasi prej tyre pritet të marrin vendime që ndikojnë në institucione të arsimit të lartë. Sipas Shefkiut, kjo fshehje e vendeve të punës në CV është shqetësuese dhe prandaj ka dilema. Me këtë u pajtua edhe anëtarja tjetër e Komisionit, përfaqësuese e Ministrisë së Arsimit, Qamile Sinanaj, e cila tha se ky veprim lë për të dyshuar se pse ka ndodhur.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, dhe përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Nysret Krasniqi, nuk ishin të të njëjtit mendim. 

Të dy nuk e panë si diçka të madhe këtë. 

Batalli është ligjëruese në Fakultetin Juridik, ku ka qenë edhe rektori Qerimi para se të bëhet rektor. 

Qerimi tha se ka mundësi që Batalli nuk e ka parë si vlerë të shtuar për ta futur në CV dhe se formalisht nuk mund ta penalizojnë për këtë, pasi që nuk ka bazë ligjore.

Batalli e kontaktuar nga KALLXO.com tha se nuk ka ndonjë arsye të veçantë se pse nuk e ka përfshirë në CV vendin e saj të punës në AAB, por aty i ka treguar vetëm aktivitetet e rregullta, ndërsa në AAB tha se ka qenë vetëm e angazhuar si profesoreshë dhe nuk ka qenë aktivitet i rregullt.

Ajo tregoi që në AAB nuk ka qenë e angazhuar që dy vite, ndërsa në kohën kur ka qenë e ka deklaruar këtë në Agjencinë për Akreditim, siç janë të obliguar ta bëjnë. Por, CV-ja është dokument që tregon historikun e punësimit e jo vetëm gjendjen e tanishme.

Me kërkesë të rektorit u vendos që nesër të mbahet mbledhja tjetër, ku pritet të vendoset për emrat e anëtarëve të ardhshëm që do të hyjnë në listë të ngushtë për të qenë pjesë e Këshillit Shtetëror të Cilësisë. 

Kjo listë dërgohet si propozim te ministrja e Arsimit, e cila më pas bën emërimin e tyre dhe e dërgon në Qeveri për miratim. 

Në fund të krejt këtij procesi duhet të bëhet edhe ratifikimi në Kuvendin e Kosovës.

Ministria e Arsimit kishte anuluar këtë konkurs më 8 qershor për “arsye ligjore”.