Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë e quan lajm inkurajues vendimin e qeverisë për shtesa

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla, vendimin e Qeverisë për aprovimin e pagës shtesë prej 10 për qind e ka quajtur si lajm inkurajues.

Ai për KALLXO.com tha se janë më shumë të interesuar për ligjin e pagave se sa për shtesa.

“Lajmi i mirë është që kjo potencohet që do të vazhdojë deri në ligjin e pagave dhe ne jemi më shumë të interesuar për ligjin e pagave se sa për shtesa”, u shpreh ai.

Syla e konsideron si lajm inkurajues sepse sipas tij tashmë qeveria e ka pranuar që ligji i pagave duhet të votohet sa më shpejt në parlament.

“Pra këto janë indikacione që nëse shkon kështu atëherë jemi optimist që edhe ligji i pagave do të kalon”, u shpreh kryetari.

Ndryshe, në lidhje me këtë vendim, Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ky vendim bënë vazhdimin e shtesës së miratuar vitin e kaluar në raport me personelin shëndetësor në kuadër të mbështetjes për menaxhimin e pandemisë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Syla kishte thënë se urgjent duhet të rregullohet çështja e punëtorëve shëndetësorë sepse plotësimi i kërkesës për rritje prej 50 për qind të pagës do të “ulte gjakrat”.

Qeveria aprovon pagesën shtesë prej 10 për qind të pagës bazë të personelit shëndetësor