Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

A po bëhet Kosova depo e vaksinave të skaduara?

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dje njoftoi se për shkak se u ka skaduar afati mbi 133 mijë vaksina “AstraZeneca” janë hequr nga përdorimi.

Mirëpo sa rrezikohet Kosova që një gjë e tillë të përsëritet?

“Nëse pranojmë donacione duhet të kenë minimum gjashtë muaj afat të përdorimit apo nuk duhet të pranohet donacioni”, shprehet kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla në një intervistë për KALLXO.com.

Dje ministri Vitia tregoi edhe për qindra mijëra vaksina që do të vijnë donacion dhe disa të kontraktuara me kompaninë “Pfizer”.

Sipas ministrit, vaksinat kundër coronavirusit që do të vijnë donacion do të kenë afat tre muaj, deri në nëntor të këtij viti.

Për kryetarin e Sindikatës, pranimi i këtij donacioni është gabimi i radhës nga Ministria e Shëndetësisë.

“Ky është gabim i radhës sepse nëse ne themi se kemi me marr donacionin e radhës me “AstraZeneca”  në shtator ne e dimë se afati i dytë për me marrë dozën e dytë është tetë deri në dymbëdhjetë javë, boni hesap kur i merr përsëri ka me i dal afati”, sqaroi Syla.

Ndërsa sa i përket skadimit të afatit për vaksinat e pranuar nga Norvegjia, ai thotë se Ministria e Shëndetësisë është dashur të shikojë afatin e vaksinave. Sipas tij, Ministria nuk do të duhej të dalë para popullit vetëm sa për t’u lavdëruar.

Skadimin e afatit të vaksinave ai e quan dështim total të menaxhimit nga ana e Ministrisë. Ai thekson se Ministria do të duhej të përcaktonte se cila kategori e qytetarëve duhet të marrin vaksinën e kompanisë “AstraZeneca” e cila “Pfizer”.

“Kanë marrë donacion vetëm me dal me u krekosë publikisht. Kjo ka qenë një donacion politik i padobishëm, në anën tjetër kanë dalë para popullit dhe kanë thanë me marrë ose “AstraZeneca” ose “Pfizer”. Jo, jo kanë qenë dashtë me kanë vendimtare me thanë ju duhet të merrni “AstraZeneca” e ju “Pfizer”, por ka qenë dështim total i menaxhimit të MSh”, pohon kryetari i Sindikatës.

“Nëse të njëjtin gabim e përsërisin atëherë Kosova po bëhet depo e vaksinave të skaduara pra nuk mund të presim vetëm donacione sepse donacionet dihet se mund të kenë afat të skaduar kjo ndodh gjithkund në botë andaj Kosova paska marrë rolin e depos së vaksinave me afat të skaduar”, shtoi tutje.

Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë u shpreh i pakënaqur me pranimin e shumë donacioneve, pasi që siç thotë ai, Ministria e Shëndetësisë ka ndarë buxhet për blerje të vaksinave por një gjë e tillë nuk është duke u bërë.

Vlen të theksohet se sipas deklaratës së ministrit Vitia të dhënë dje gjatë konferencës Kosova ka 46 mijë e 947 doza të vaksinave nga kompania “AstraZeneca” si dhe 108 mijë e 850 vaksina “Pfizer”.

Ministria e Arben Vitisë

Sa i përket rrezikut të skadimit të vaksinave të cilat pritet të vijnë javëve në vazhdim nga Ministria e Shëndetësisë thonë se qëndron rreziku që përsëri të skadojë afati për përdorim i vaksinave mirëpo sipas tyre duhet t’i jepet përparësi përfitimit nga vaksinat.

Sipas tyre, nxjerrja nga përdorimi i vaksinave kundër coronavirusit ka ndodhur  në shumë vende të botës e jo vetëm në Kosovë.

Më 22 qershor të këtij viti Kosova ka pranuar 180 mijë doza të vaksinës “AstraZeneca”. Nga Ministria thonë se 60 mijë prej tyre janë administruar, siç thuhet në përgjigje,  përkundër stigmatizimeve e dezinformatave që u kanë bërë këtyre vaksinave këtu duke përfshirë edhe personat publikë.

“Kur MSh filloi për shkak të afatit më të shkurtër të përdorimit t’ia ofrojë vaksinën AZ popullatës si zgjedhje të parë, terminet nga 13,000 sa ishin në atë kohë, pësuan rënie ditore në 5000, pra një rënie e madhe e interesimit që përkundër informimit nga profesionistët shëndetësor”, thuhet në përgjigjen e ministrisë dhënë për KALLXO.com.

Sa i përketë afatit të vaksinave nga mininstria thonë se ministri Vitia gjatë konferencave ka bërë të ditur se vaksinave nga Norvegjia u skadon afati, një pjesë së sasisë më 31 korrik ndërsa pjesës tjetër më 31 gusht 2021, këtu duke shtuar se ministria do të punojë që donacionet tjera të administrohen në mënyrë sa më korrekte.

Kosova aktualisht ka dy lloje të vaksinave, atë të kompanisë “AstraZeneca” dhe të kompanisë “Pfizer”, dhe qytetarët kanë mundësi të përzgjedhin se cilën nga vaksinat dëshirojnë të marrin.

Nga Ministria kanë theksuar se tash për tash qytetarët e kanë mundësinë e zgjedhjes mirëpo më tej do të varet nga numri i vaksinave të cilat janë në stok.

“Muaji shtator pritet të përmbyllet me doza të administruara në shifrat e planifikuara në Planin e vaksinimit”, bën të ditur Ministria.

Ministria e Shëndetësisë planifikon që deri në fund të vitit të vaksinohet 60% e popullatës.

Edhe pse është koordinatore për vaksinim në nivel vendi, Fetije Fetaj, nuk deshi të komentojë çështjen e skadimit të afatit të mbi 133 mijë e vaksinave “AstraZeneca”.

“Ministri ka qenë dje në konferencë dhe unë nuk kam çka me u marr me këtë punë hiç… Seriozisht po më vjen shumë keq por jam shumë e zënë…”, tha ajo për KALLXO.com dhe e mbylli telefonin.

“Vaksinohuni!”

Infektologu nga Peja, Zenel Shatri, kërkon nga qytetarët që të vaksinohen kundër coronavirusit me dy llojet e vaksinave, qoftë “AstraZeneca” apo “Pfizer”, pasi që sipas tij të dy llojet e vaksinave janë treguar të suksesshme.

“Duhet të vaksinohen me dy vaksinat, të dy janë treguar të suksesshme. Për shkak të mosvaksinimit kanë ardhë këto infeksione”, tha ai për KALLXO.com, duke aluduar në rritjen e madhe të numrit të viktimave dhe të të infektuarve.

Ai po ashtu shtoi se në repartin e Infektivës në Spitalin e Pejës janë të shtrirë 20 pacientë dhe shumica e tyre janë të pavaksinuar.

Shatri theksoi se personat të cilët janë të vaksinuar kundër coronavirusit po e tejkalojnë më lehtë infeksionin ndërsa personat e pavaksinuar po e kalojnë më rëndë.

Vaksinimi nëpër komuna

Secila komunë në vend ka përcaktuar qendra e vaksinimit për qytetarët e komunës përkatëse, mirëpo para se të shkojnë për vaksinim në vendet e përcaktuara qytetarët janë të detyruar të aplikojnë për vaksinim në platformën e-Kosova.

Koordinatori në qendrën e vaksinimit në Prizren, Xhengiz Sojtar, në një përgjigje për KALLXO.com tregoi se dje në këtë komunë janë vaksinuar 1 mijë e 860 qytetarë, disa prej tyre janë vaksinuar me një dozë ndërsa një pjesë me dozën e dytë.

Ai tha se qytetarët janë të interesuar më shumë të vaksinohen me “Pfizer”.

“I pyesim me cilën vaksinë dëshironi të vaksinoheni, interesim ka më shumë për “Pfizer”. Nuk e di çka ka ndiku, por kërkesa është më e madhe për Pfizer”, tha ai.

Procesi i imunizimit është duke vazhduar edhe në komunën e Gjilanit.

Në këtë komunë vaksinimi është duke vazhduar në sallën e sportit “Bashkim Selishta” nën koordinim të Ismet Uruqit.

“Në mëngjes i kam pasë 2,400 “Pfizer” dhe 300 “AstraZeneca”. Nesër furnizohemi për të shtunën dhe për javën tjetër”, tha ai për KALLXO.com.

Uruqi tha se kanë gabuar kur kanë raportuar disa nga mediat se vaksina “AstraZeneca” nuk është vaksinë e mirë dhe se një gjë e tillë tani është duke shkaktuar problem të vaksinimit në nivel vendi.

Ndërsa sa i përket problemeve me sistem ai shtoi se nuk kanë probleme të theksuara. “Jo për momentin jemi mirë, nganjëherë vetëm ngadalësohet por mirë është”, shtoi ai.

Fitnete Simnica – Ferizi, koordinatore në qendrën e vaksinimit në Fushë Kosovë, tha për KALLXO.com se deri rreth orës 11:00 janë vaksinuar 202 qytetarë dhe se asnjë qytetar nuk është vaksinuar nëse i njëjti nuk ka pasur termin.

Qytetarët e infektuar pas vaksinimit

Në Spitalin Rajonal të Gjilanit janë të shtrirë 139 pacientë me COVID-19, prej tyre 121 janë në oksigjeno–terapi.

“Me një dozë të vaksinuar janë 10 me dy doza janë 14”, tha për KALLXO.com ushtrues detyre e drejtorit të Spitalit, Arsim Emini.

Në anën tjetër, në Spitalin e Mitrovicës së Veriut janë të shtrirë rreth 55 pacientë me coronavirus.

U.D. drejtori i Spitalit, Luljeta Zhubi, tha se të gjithë pacientët janë nën asistim me oksigjeno- terapi.

“Me oksigjen janë të gjithë. Nëse nuk kanë nevojë për oksigjen po mundohemi mos me i ndal në spital”, tha ajo për KALLXO.com.

Në anën tjetër, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe në shtatë spitalet rajonale në vend janë të shtrirë 1 mijë e 234 pacientë të infektuar me coronavirus.

Rastet e vdekjeve të personave të infektuar me SARS-CoV-2 dhe të të infektuarve është vazhdimisht i lartë, nga të dhënat e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë është bërë e ditur se 32 qytetarë kanë vdekur me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit si dhe 1 mijë e 612 qytetarë të tjerë kanë rezultuar të infektuar nga 13 mijë e 953 testime të bëra nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Për më tepër se një vit e pesë muaj në Kosovë kanë rezultuar të infektuar 148 mijë e 492 qytetarë prej tyre 2 mijë e 557 kanë vdekur si dhe 119 mijë e 411 qytetarë të tjerë janë shëruar nga infeksioni.

Vaksinimi në Kosovë ka filluar më 29 mars të këtij viti.