Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë kërkon shtyerjen e zgjedhjeve lokale për 6 muaj

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka kërkuar nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani – Sadriu, që të shtyjë zgjedhjet lokale të parapara të mbahen me 17 tetor, për 6 muaj, për shkak të situatës me COVID-19.

Përmes një postimi në ‘Facebook’, Syla ka shkruar se Kosova është për marre e për gjynah, për menaxhim të pandemisë.

“Presidente, jemi për marre e për gjynah, për menaxhim të pandemisë. Ju lutem, ju jeni bija e një punëtore të respektuar shëndetësore, e dini pra çka do të thotë kjo. Jemi lodhur, dërmuar, ofenduar e të neglizhuar, andaj veproni”, ka shkruar Syla.

Në fund, Syla ka thënë se presidentja duhet të formojë një grup, siç e ka quajtur ai, ‘për shpëtim nacional nga pandemia’.

Ndërsa zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen me 17 tetor, e fushata zyrtare fillon me 15 shtator dhe zgjat 1 muaj.