Syla - Kurtit: E ke tepru me kërcënime dhe shantazhe

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka reaguar pas deklaratës së sotme të kryeministrit, Albin Kurti, i cili uroi që të ndërrohen drejtuesit e sindikatave.

Sipas tij, Kurti e ka tepruar me ‘kërcënime dhe shantazhe” ndaj tij.

“Kryeminstri paska punë edhe me kreun e FSSHK-së i cili nuk po i shkojka për shtati. Ndërsa po i njëjti është takuar me Dr. Blerim Syla sa ishte në opozitë dhe gjithcka ishte në rregull. Por tani ky Dr. Blerim Syla qenka i padëshiruar për Z. Kurti se po kërkon: Ligjin e pagave dhe rritjen e mirëqënies së punëtorve shëndetsorë. Shoku Kurti në këto takime ka thënë: “Ligjin nuk e kemi votuar sepse do të dëshirojmë koeficientin 6 per mjek e 3 per infermier”. Shoku Kurti sikur e ke tepru me kërcënime dhe shantazhe ndaj emrit Dr. B. Syla, por po ju rikujtoj: “KOHA E DIKTATORËVE KA KALUAR dhe cdo tendencë e jotja do të dështoj”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, liderët sindikalë zgjidhen nga punëtorët shëndetësorë e jo nga politika.

“Albin Kurti shihemi në greva të ligjshme apo jo, e vendos punëtori ndërsa ti dhe qeveria jote e keni shkel ligjin anti-covid duke i zbritur shtesat nga 300€ ne 60€, e qe besa dhe duke i vjedhur ato për 2 muaj”, tha ai më tej.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha sot se është mirë që të ketë ndryshime në krye të organizatave sindikale, njësoj siç kanë ndodhur ndryshime në politikë.

Kurti u shpreh kështu në një konferencë për media sot, kur u pyet për grevat që janë duke u mbajtur nga Sindikata e Shëndetësisë dhe disa sindikata të tjera sa i përket Ligjit për Paga.

Më 25 nëntor dhe më 2 dhjetor, stafi shëndetësor ka mbajtur grevë 8-orëshe. Në krye të kësaj greve është Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë, Blerim Syla.

Grevistët kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të miratohet me urgjencë Projektligji i pagave për sektorit publik dhe si dhe implementimi i Ligjit për paga në buxhetin 2022, kryetari i sindikatave, deklaron se ligji është duke u punuar fshehtas dhe në momentin që do të dal në debat, ai thotë se, do të jetë shumë vonë.

Një kërkesë të tillë e kishte edhe SBAShK që kishte paralajmëruar protestë me 4 dhjetor, por e kishin anuluar, pasi një takimi që e kishin pasur me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që kanë biseduar për Ligjin për Paga.

Kryeministri Kurti uron të ndërrohen drejtuesit e sindikatave në Kosovë

www.kallxo.com

.