Komisioni për Shëndetësi takon Sindikatën e mantelbardhëve pas protestave dhe grevave

Deputetët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale janë takuar sot me Federatën e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës pas protestave dhe grevave që kanë mbajtur këta të fundit.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka thënë se ndërprerja e grevave ka ndodhur pikërisht për shkak të pacientëve dhe numrave të lartë të prekurve me grip sezonal, sidomos nga Klinika e Pediatrisë.

“Nga 24 prilli ne kemi dërguar disa shkresa dhe kemi kërkuar disa takime sepse e kemi ditur që e keni pasur përpara Ligjin e Pagave. Pakënaqësitë janë rritur te punëtorët shëndetësorë. Kemi kërkuar disa takime me disa ministra dhe nuk ka ndodhur asnjë takim. Ne mbetëm atëherë si ‘fëmijët pa prind’”, është shprehur Syla.

Tutje ai ka paraqitur para komisionit përsëri kërkesat që i patën shtyrë në protesta e greva.

Syla tha se meqenëse Qeveria nuk e ka parë të arsyeshme miratimin e Ligjit të Pagave kanë kërkuar rritje të pagës në 50 për qind.

“Ne kemi kërkuar rritje të pagës për punëtorët shëndetësorë në 50 për qind të paktën derisa të votohet ligji. Edhe 9 muaj pas votimit të Qeverisë asnjë nga federata nuk është pranuar në takim me ministrin”, ka vazhduar ai.

Syla ka shtuar se nga sistemi publik kanë kaluar në sistemin privat 140 mjekë sepse sipas tij atje paguhen 4-5 fish më shumë.