Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

‘Piskamat’ e punëtorëve hasin në veshin e ‘shurdhër’ të Qeverisë

Sindikata të punëtorëve publikë por edhe privatë kanë filluar protestat në vend, duke kërkuar rritje të pagave e ndihmë nga Qeveria.

Me kërkesë kryesore miratimin e Ligjit të Pagave, sindikata të punëtorëve shëndetësorë, të arsimit, të administratës publike e punëtorë të Feronikelit gjatë kësaj jave, disa kanë mbajtur protesta, disa kanë paralajmëruar protesta për ditët e ardhshme.

Qeveria e Albin Kurtit është treguar e ‘shurdhër’ ndaj ‘piskamave’ të sindikalistëve, pasi që deri më tash, asnjë organ qeveritar nuk është takuar me ta, e aq më pak ndonjë ministër apo kryeministri.

Bile, një ministër i Qeverisë i cilësoi “protesta politike” e disa sindikata “fort të kapura”.

Momentalisht, punëtorët e kanë ‘gjuajtur topin’ te Qeveria dhe presioni bie mbi pushtetin, të cilët deri më tash nuk është që kanë reaguar.

 “Grevën nuk e deshtëm ne”

Më të rreptë në organizim janë treguar mantelbardhët. Sot (25 nëntor) ka filluar greva 8-orëshe e punëtorëve shëndetësorë në gjithë Kosovën. Ata, si shumë të tjerë, janë duke kërkuar miratimin e Ligjit të Pagave. Ky Ligj parasheh që punëtorëve shëndetësorë t’u rritet koeficienti i pagës.

Në një konferencë për media, kryetari i Federatës së Sindikatave Shëndetësore të Kosovës (FSShK), Blerim Syla, tha se ata nuk e deshtën grevën, por i detyroi Qeveria.

Duke u paraqitur me ‘perforcime’ para kamerave, bashkë me kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, Syla pati disa paralajmërime për pushtetin.

“Po i dërgojmë një mesazh kryeministrit Kurti që sot nga ora 15:00 le të fillojë të mendojë prapë. Ne jemi këtu për çdo kohë, çdo moment, çdo minutë që të takohemi në lidhje me Ligjin e Pagave. Nuk është e mirë që edhe sot kur ne mbajmë greva, këta e diskutojnë projektbuxhetin për vitin 2022 dhe nuk është e parashikuar vija e ndarë për Ligjin e Pagave”, tha Syla para gazetarëve.

Blerim Syla përmendi edhe trazira sociale. Ai tha se ky është mesazhi i fundit për Qeverinë Kurti.

“Le të jetë ky edhe njëherë mesazhi i fundit përqQeverinë Kurti dhe githë akterët, ulemi të bisedojmë, ju lutem mos na shtini me bo gjeste të tilla, të cilat neve nuk po i dëshirojmë, por nëse ju keni vendosë që të keni trazira sociale, është çështje e juaj, neve do ta ruajmë shtetin tonë”, tha Syla.

“4 dhjetori, alarm për Qeverinë”

Data 4 dhjetor 2021 është dita kur Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka paralajmëruar hyrjen në grevë.

Kërkesa e tyre është e njejtë sikur e mantelbardhëve – miratimi në Kuvend të Kosovës i Ligjit për Paga.

Në një konferencë të mbajtur më 12 nëntor, kryetari i kësaj Sindikate, Rrahman Jasharaj, tha se 4 dhjetori do të jetë alarmi për Qeverinë.

“Veprimin e parë do ta bëjë të shtunën e parë të dhjetorit. Konsideroj që 4 dhjetori do të jetë alarm i duhur për Qeverinë. Pas 4 dhjetorit do të jetë që të përgatisim një protestë por masive. Nëse prapë nuk do të kemi veprime, atëherë do të kemi veprime më radikale”, ka thënë Jasharaj në një konferencë për media.

SBAShK-u ka marrë përkrahjen edhe të Këshillit të Prindërve, të cilët kanë thënë se i përkrahin kërkesat legjitime të Sindikatës.

Ndërsa Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNj), i ka reaguar SBAShK-ut duke thënë se të mos e shndërrojë protestën në mjet shantazhi dhe kërcënimi.

KMDLNj thotë se është bërë si rregull “e mbase edhe pjesë e statutit dhe Rregullores së SBASHK-ut që para çdo viti të ri shkollor të kërcënojë institucionet e Kosovës me protesta, nëse nuk iu përmbushen kërkesat të cilat sa shkojnë e rriten”.

 

Edhe administrata publike në protestë

Të radhës, punëtorët që kanë paralajmëruar protestë janë ata të administratës publike. Protesta do të mbahet të premten. Kërkesa e tyre është e njëjtë – miratimi i Ligjit për Paga.

Përmes një komunikate për media të martën , Sindikata e Pavarur e Administartës së Kosovës (SPAK), tha se pas presionit të anëtarësisë së gjerë në gjithë Kosovën, sipas tyre, lidhur me injorimin nga ana e Qeverisë së Kosovës në lidhje me realizimin e kërkesave.

“Kërkesat thelbesore janë: Ligji i Pagave, buxhetimi i mjeteve për implementimin e ligjit të pagave në ligjin për buxhetin 2022, marrëveshja e përgjithshme kolektive, sigurimi shëndetësor, njohja e përvojës së punës të gjithë zyrtarëve të dëbuar padrejtësisht nga puna gjatë viteve ’90-ta”, thuhet në komunikatë.

Protesta e tyre do të mbahet të premten më 26 nëntor, nga ora 11:00 në sheshin ‘Skënderbeu’ para ndërtesës së Qeverisë, në Prishtinë.

“Nuk duam të jemi në rrugë, por në fabrikë”

Edhe pse i përkasin sektorit privat, punëtorët e fabrikës së Feronikelit po kërkojnë që Qeveria e Kosovës t’u ofrojë zgjidhje.

Rreth 1 mijë punëtorë të Feronikelit kanë mbetur pa punë, pasi që kjo fabrikë pezulloi punën që nga data 8 tetor, pas krizës energjetike globale.

Kërkesa e tyre nuk është e qartë, pasi ata thjesht po ‘kërkojnë ndihmë nga Qeveria’.

Kryetari i sindaktës së punëtorëve, Sejdi Morina, në protestën e mbajtur të martën më 23 nëntor, tha se gjendja ekonomike e punëtorëve të Feronikelit po keqësohet.

“Kjo simbolikë paraqet se po i vjen momenti që sofra e punëtorëve të mbetet e thatë, një bukë, pjata me pak kryp, kjo helmeta simbolizon punëtorin e Feronikelit të mbetet e thatë, domethwnë një bukë, pjata me pak kryp, kjo helmeta simbolizon punëtorin e ‘Feronikelit’. Në anën e djathtë e kemi në djep një foshnje së cilës edhe qumështi i shteron domethënë përgjysmë e ka shishen me qumësht. Kjo e pasqyron gjendjen reale të punëtorëve të ‘Feronikelit”, ka thënë ai në protestë.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

 “Protesta është politike dhe disa sindikata janë të kapura”

Ministri i Financave, Hekuran Murati, është i vetmi nga Qeveria e Kosovës që është deklaruar ditëve të fundit, në lidhje me protestat e sindikatave.

Përmes një shkrimi në ‘Facebook’, Murati tha se protesta është politike, e disa sindikata janë të kapura.

Ai tha se si Qeveri janë të përkushtuar që të punojnë për kushte më të mira për të gjithë punonjësit, si në sektorin publik, ashtu edhe privat.

“Paralajmërimi i grevave që më shumë kanë synime politike sesa që brengosen për realizimin e të drejtave të personelit shëndetësor, nuk na shpie askund. Me qasje të tillë, humbin edhe pacientët edhe personeli shëndetësor. Zaten, nuk ka mundur të ketë shtet të kapur, pa disa sindikata fort të kapura”, shkroi Murati.

Ai, pati edhe një akuzë kundrejt Sindikatës së Shëndetësisë.

“Në 5 vitet e fundit FSSHK ka pranuar mbi 3 milionë euro në emër të kontributeve që u janë ndalur nga paga personelit shëndetësor dhe u janë transferuar FSSHK-së. Dyshoj se ndonjëherë personeli shëndetësor janë njoftuar se ku kanë shkuar këto para”, ka shkruar, ndër të tjera Murati.

Ndërsa Blerim Syla i FSSHK-së, për KALLXO.com, ka thënë se nesër do ta padisë ministrin Murati.

“Po është problemi se ai ka me m`i kthy 240 mijë euro, unë kam me shku mandej në gjykatë sepse është e vetmja sindikatë që këtij shteti i ka pagu tatimin, qato pare i ka marrë Hekuran Murati”, tha Syla.

Ligji për Paga është jokushtetues

Në qershor 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi se Ligji i vitit 2019 për pagat e sektorit publik ishte jokushtetues. Ai ligj kishte rritur pagat e 70 për qind të punonjësve të sektorit publik, duke lënë mënjanë 30 për qind.

Ligji i përditësuar do të dërgohej për miratim në Parlament në fund të tetorit, por është ende në proces ndryshimi, bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2020, por që deri më tash nuk është bërë e ditur se kur do të dërgohet për votim.

Kryeministri Albin Kurti u tha mediave në fund të tetorit se nuk ishte aq e thjeshtë dhe rritja e pagave duhej të krahasohej me rritjen e produktivitetit.

“Në premtimet e tyre elektorale, ata (ish-qeveritë) u përpoqën të rrisin pagat, por ekonomia nuk funksionon kështu. Tek ne, në muajt dhe vitet në vijim, rritja e pagave do të pasojë një rritje të produktivitetit”.