Kryetari i Sindikatave të Punëtorëve Teknik në Sektorin Privat parashtron kërkesat e tij në takim me Arben Vitinë

Kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknik të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi kërkoi sot nga Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia që punëtorët teknik të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës të jenë nën menaxhimin e Ministrisë.

Këtë dhe disa kërkesa të tjera, Azemi i bëri sot në një takim me Vitinë.

Takimi ishte i mbyllur për media, por pas takimit ata u deklaruan rreth atyre që kanë biseduar në këtë takim të cilin e quajtën informues.

Jusuf Azemi tha se ka paraqitur 4 kërkesa, për të cilat Ministri Vitia tha se do t’i shqyrtojnë me seriozitet dhe do të japin përgjigje pas dy ose tri javësh, në një takim tjetër.

Ai tha se punëtorët teknikë nuk janë trajtuar si duhet. Prandaj, sipas tij pagat e tyre janë të pamjaftueshme.

Kërkesë tjetër e tij ishte edhe ofrimi i një shujte ditore për punëtorët teknikë siç tha se ofrohet për punëtorët shëndetësorë.

“Sa herë janë vërë stimulime te punëtorët shëndetësorë ne kemi qenë të anashkaluar dhe nuk jemi trajtuar ashtu siç duhet” – tha Azemi.

Për këtë, ai tha se më parë kanë paditur ish-ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

“Një kërkesë ekstra që u diskutua edhe nga ne si ministri janë edhe përmirësimi i kushteve të punës dhe trajtimi i punëtorëve, për të cilët do të marrim obligim me SHSKUK-në, përmes bordit që ky trajtim të jetë dinjitoz dhe kushtet e punës jo vetëm për personelin shëndetësor por të përmirësohen edhe për punëtorët nga sektori privat” – u shpreh Vitia.

Brenda suazave ligjore dhe financiare, ministri tha se do të bëjnë më të mirën për këta punëtorë që jo vetëm tani, por kanë shërbyer edhe në kohën e pandemisë krah për krah me profesionistët shëndetësorë.

Azemi u pyet nëse ka ankesa nga punëtorët teknik se kompanitë private marrin më shumë të holla se sa paguajnë punëtorë teknik.

Për këtë, kishte një përgjigje edhe kreu i shëndetësisë. Ai tha se dje në një takim me bordin dhe u.d. Drejtoreshën e SHSKUK-së ka ngritur si problematikë çështjen nëse paguhen më shumë punëtorë se sa numri real që punon në institucione shëndetësore. Vitia tregoi se ka kërkuar që të bëhet verifikimi dhe të lajmërohet javën e ardhshme.

“Kur ta kem raportin, do ta ndaj edhe me zotëri Azemin dhe me publikun. Nëse ndodh diçka e tillë, që shpresoj që nuk ndodh, të merren masat adektuate konform ligjit” – u shpreh ministri.

Ndërkaq, Azemi tha se beson se ndodh një gjë e tillë, mirëpo pret raportin e SHSKUK-së dhe do ta respektoj atë.