Kryetari i ri i PDK-së bën homazhe në kompleksin ‘Adem Jashari’

Kryetari i porsazgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, së bashku me familjen e tij ka bërë homazhe  në kompleksin memorial ‘Adem Jashari’ në Prekaz të Skënderajt.

Krasniqi ka thënë se vizita në kompleksin ‘Adem Jashari’ është e domosdoshme para marrjes së çfarëdo përgjegjësie.

“Prekazi mbetet udhërrëfyesi ynë sepse ky është vendi ku ka lindur dhe ku ka marrë kuptim liria e Kosovës. Andaj e konsideroj të pa tejkalushme dhe të domosdoshme ardhjen në Prekaz para marrjes së çfarëdo përgjegjësie. Pra është edhe nder, obligim, privilegj edhe përgjegjësi që në ditën e parë si kryetar i PDK-së së bashku me familjen time të vij në Prekaz për të marrë një frymëzim shtesë por edhe për të fuqizuar vetëdijen tonë politike për punët të cilat na presin dhe për të marrë një inspirim shtesë nga sakrifica titanike e familjes Jashari”, tha ai.

Kryetari i PDK-së gjatë vizitës së tij theksoi se ‘ADN’-ja e subjektit që ai tash drejton është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

“Unë e kam thënë edhe dje në Konventën e PDK-së që ADN-ja e partisë sonë është UÇK-ja. Lufta dhe sakrifica e mijëra heronjve e çlirimit tonë dhe Adem Jashari është simboli i gjithë kësaj lufte. Kështu që ndjehem i përgjegjshëm ndaj historisë së Partisë Demokratike të Kosovës, ndaj të gjithë atyre njerëzve që për vite e dekada kanë punuar për ta sjellur partinë tonë deri në këtë fazë dhe për punën që na pret në të ardhmen”, shtoi Memli Krasniqi.

Memli Krasniqi është zgjedhur dje  kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i PDK-së me vetëm 7 vota kundër.

Memli Krasniqi kryetari i ri i PDK-së