Kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, emëron katër drejtorë të rinj

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se kryetari i Leposaviqit, Lulzim Hetemi, ka emëruar katër drejtorë të rinj.

“Nga sot, Violeta Sakic, Nikola Radomirovic, Nenad Radosavljevic dhe Miroslav Minic do të jenë pjesë e kabinetit të kryetarit Hetemi” – ka thënë Krasniqi.

Ministri Krasniqi tha se sot është takuar me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, të cilin e njoftoi për këto ndryshime.

“Diskutuam për iniciativat e ndryshme të kësaj ministrie. E informova për krijimin e mundësive për qytetarët nga komuniteti serb si dhe biseduam edhe për inkuadrimin e serbëve lokal në qeverisjen lokale me ç’rast e informova për vendimin e fundit të kryetarit të Komunës së Leposaviqit” – tha Krasniqi.

Tutje ai tha se bashkëpunimi me komunat do të vazhdojë dhe se përkrahja nga Qeveria e Kosovës nuk do të mungojë.

Ministri gjithashtu tha se mbështetja për komunat në Republikën e Kosovës mbetet prioritet i Qeverisë dhe se qeverisja në nivel lokal ka në fokus secilin qytetar pa asnjë dallim e përjashtim dhe mbështetet nga iniciativat e ndryshme të nivelit qendror.

Më 16 qershor ministri Krasniqi kishte njoftuar se kryetari Hetemi ka emëruar drejtorë: Sretena Bojovic, Andjela Simic, Valton Peci dhe Arjeta Tahiri.

Kryetari Hetemi ka më shumë se një muaj, prej kur filluan tensionet në veri, që është duke qëndruar i mbyllur brenda në ndërtesën e Komunës së Leposaviqit.

Tensionet në veriun e Kosovës nisën kur kryetarët e rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Qytetarët e komunitetit serb e kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

Lulzim Hetemi, kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte zgjedhur kryetar i Komunës së Leposaviqit, në zgjedhjet e 23 prillit që u bojkotuan nga qytetarët e komunitetit serb, të cilët janë komunitet shumicë në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës.