Kryetari i Ferizajt: I infektuari nuk ka pasur kontakt me askënd në fshat

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu përmes një postimi në Facebook ka folur në lidhje me qytetarin nga fshati Bibaj, që ka rezultuar pozitiv në testin për COVID-19.

I infektuari nuk ka pasur asnjë kontakt me familjen e tij apo me dikë tjetë rnë fshatin Bibaj, pasi që i njëjti ka qenë i izoluar në Karantinë.

“Pacienti zero apo i konfirmuari i parë me CoronaVirus në Ferizaj nga fshati Bibaj i ardhur mbrëmë nga Gjermania dhe i vendosur në Qendrën e Studentëve ka qenë në karantinë, pra NUK KA PASUR fare kontakt me familjen dhe bashkëfshatarët e fshatit Bibaj, mirëpo me të shfaq simptomat është trajtuar nga IKShP ku ka rezultuar pozitiv me CoronaVirus e që tash po trajtohet në Klinikën Infektive të QKUK-së”, ka shkruar kryetari Aliu në profilin e tij në Facebook.

Komuna e Ferizajt ka njoftuar se i gjithë fshati Bibaj është futur në izolim.

Sot gjatë ditës janë lajmëruar edhe 4 raste të reja të infektuar me Coronavirus.

Sipas njoftimit, nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj.

Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare.

KALLXO.com raportoi më herët se i infektuar me virusin COVID-19, kishte ardhur dje nga Gjermania dhe ishte vendosur në karantim në konviktet e studentëve.

Edhe katër raste të reja me coronavirus, numri shkon në 28