Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kryeministri nuk u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve për aktualitetin, gjatë vizitës në Onkologji

Kryeministri Albin Kurti nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve lidhur me aktualitetin në vend, gjatë një prononcimi të tij pas vizitës në Klinikën e Onkologjisë.

“Jemi para Klinikës së Onkologjisë, për çështje të tjera, për tema të ndryshme janë konferencat në Kryeministri me ministra të tjerë” – tha Kurti.

Ndonëse gazetarët kërkuan disa herë që kryeministri t’i përgjigjej pyetjeve të tyre, ai nuk pranoi.

Kreu i ekzekutivit injoroi pyetjet e gazetarëve për situatën në veri dhe nëse është në dijeni se zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Nikola Radomiroviq ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Jugosllave edhe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Njëjtë veproi edhe me pyetjen se a do të marrë pjesë në gjykimin e Dragisha Millenkoviq, i dyshuar për krime lufte në Kosovë, pasi që sipas raportimeve të mediave serbe, avokati i Millenkoviq ka bërë kërkesë në zyrën e Qeverisë së Kosovës, që Albin Kurti të jetë dëshmitar për mbrojtjen e të dyshuarit, pasi që sipas raportimeve, Millenkoviq ka qenë gardian në burgun kur Kurti ka qenë i burgosur.

“Këtu jemi para Klinikës së Onkologjisë dhe unë nuk besoj që pyetjet e juaja janë çështje onkologjie, pra me ministra të tjerë, në një konferencë tjetër, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Përparim Kryeziu, zëdhënësi është i gatshëm për juve, edhe unë, por jo këtu” – shtoi Kryeministri.

Vizita e Kurtit në Onkologji ishte për të bërë përurimin e një aparature të re për terapinë rrezatuese, e nevojshme për pacientët me tumor.