Kryeministri Kurti takohet me bashkë-drejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim bashkë-drejtuesin e SPD-së gjermane, Lars Klingbeil dhe përfaqësues të Fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung (FES).

Për Klingbeil kjo është vizita e tij e parë në Kosovë.

“Përgjatë takimit, u fol rreth zhvillimeve të fundit në vend dhe rajon, çështjeve aktuale, qeverisjes mbi vlera dhe parime socialdemokrate, marrëdhënieve të forta ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë dhe rreth zgjedhjeve të ardhshme evropiane në pranverë”- thuhet në komunikatë.

Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të SPD-së për shtetin e Kosovës dhe zhvillimin demokratik të vendit.

Në takimin ishin të pranishëm edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe përfaqësues të lartë të Lëvizjes Vetëvendosjes..