Albin Kurti, Gabriel Escobar, Mirosllav Lajçak, foto: Zyra e Kryeministrit

Kryeministri Kurti sot i pret në takim Lajçakun dhe Escobarin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sonte do të takohet me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ky takim pritet të mbahet në orën 17:30.

Kurti, edhe dje, të hënën, është takuar me të dërguarin e ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Pas takimit, u tha se diskutua për situatën në veri të vendit dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas komunikatës së qeverisë, gjatë takimit është theksuar se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë.

Escobar u takua të hënën edhe me presidenten Vjosa Osmani.

Vizita e Gabriel Escobar në Kosovë vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës – zonë e banuar me shumicë serbe – është e tensionuar.

Disa serbë lokalë atje, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

Qeveria pas takimit Kurti-Escobar: U theksua se barrikadat në rrugë duhet të largohen menjëherë