Kryeministri Kurti në takim me shefin e AKI-së, Petrit Ajeti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, aktualisht është duke mbajtur një takim me shefin e Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë (AKI), Petrit Ajeti, në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.

Takimi është duke ndodhur pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe dy të tjerë u plagosën, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.

Policia e Kosovës ka rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjenden në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore po vazhdojnë.

Organet e rendit konfirmuan se tre sulmues janë vrarë dhe një tjetër i uniformuar dhe i armatosur është arrestuar.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se sulmi u krye nga banda kriminale e terroriste të Serbisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës deklaroi se rasti po trajtohet si sulm ndaj rendit kushtetues, ku hynë edhe terrorizmi.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se janë arrestuar edhe katër persona të tjerë të dyshuar të cilët janë hasur nën posedim të radiolidhjeve, si dhe identifikimin e një sasie të konsiderueshme të armeve, municionit dhe pajisjeve të ndryshme.

Policia: Tre sulmues të vrarë dhe një i arrestuar