Kryeministri: Komunikimi me gazetarë do të bëhet përmes internetit, t’i ikim grumbullimeve

Në konferencën e sotme e cila po mbahet në oborrin e Qeverisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti tha se komunikimi për gjendjen shëndetësore dhe coronavirusit do të bëhet me anë të mjeteve online.

“Konferencave me ambient të mbyllur i erdhi fundi dhe së shpejti do të na duhet që edhe këto konferenca në ambient të hapur t’i përfundojmë në mënyrë që të komunikojmë vetëm përmes internetit telefonit pasi që çfardo grumbullimi paraqet rrezik gjithnjë më të madh”, tha Kurti.

Ai shtoi edhe njëherë që në mënyrë të parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19, është që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi të mos bëhen pjesë e tubimeve apo mbledhive.

“Ne kemi kaluar shumë kriza si popull por kjo është krizë me të cilën nuk është se jemi përballur ndonjëherë. Ne duhet ta mbajmë si gjendje dhe të mos lejojmë të kthehet në krizë të pakthyeshme pra të parandalojmë përhapjen e coronavirusit dhe ta mbajmë në funksion të plotë sistemin tonë shëndetësor. Shpresojmë që gjendja të mos na paraqitet e rëndë në ditët e javët në zhvillim por siç kemi parë, lakorja e përhapjes së virusit po zgjedhoret atëherë duhet ta frenojmë sa më shumë dhe frenimi bëhet me distancë dhe qëndrim në ambienet tona dhe me higjienë sa më të lartë”, shtoi Kurti.

Deri më sot 24 raste janë konfirmuar në Kosovë me coronavirus.