Kryeministri Hoti flet për planet për fillimin e vitit të ri shkollor

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pas takimit me kryetarët e komunave të Kosovës, tha se komunat do të vendosin se si do t’i shpenzojnë paratë, të cilat ia ka ndarë Qeveria për luftimin e pandemisë COVID-19.

“Kemi marrë komente nga kryetarët e komunave për kriteret që duhet t’i vendosim për ndarjen e këtij buxheti, prej 10 milionë euro, plus shtesa tjetër prej 29 milionë eurosh që komunat i kanë në dispozicion për të shpenzuar për furnizim më të mirë të shkollave ose të QKMF ose bizneset, është çështje e tyre si vendosin ta shpenzojnë këtë buxhet”, tha Hoti.

Hoti shtoi se në këtë takim kanë biseduar edhe për fillimin e vitit të ri shkollor, që tha se ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj ka prezantuar master planin se si do të organizohet viti i ri shkollor dhe si do të hapen.

“Ministri i Arsimit e prezantoi master planin se si do të organizohen shkollat, si do të hapen dhe çfarë ndodhë në rast se në një shkollë na paraqiten raste te infektimeve”, tha ai.

Megjithatë, nuk tregoi datë të saktë se kur parashihet të merret vendimi për fillimin e vitit të ri shkollor, vetëm se presin nga MASh ta dorëzojnë master-planin.

“Master planin ministra do ta dorëzojë në së shpejti Qeveri, pastaj Ministria duke i zbatuar protokollet se çka ndodhë hap pas hapi do ta merr vendimin. Nuk është fare çështje tek buxheti është procedura që duhet ta ndjekim edhe përgatitjet, sepse tash po shihen kritere shtesë për angazhimin e stafit, pastërtisë në shkolla etj.”, tha Hoti.

Hoti tha se nuk do të ketë masa të reja për luftimin e pandemisë COVID-19, por tha se nuk do të letë as lirim të tyre.

“Ngadalë është krijuar kultura për masa, nuk sheh njerëz pa maska në rrugë. Nuk do të ketë nevojë për masa ashpërsuese, por nuk mund të them që do të shkojmë kah lirimi I masave, sepse situata me COVID-19 nuk është që duke u lehtësuar..”, tha Hoti më tej.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti sot u takua me kryetarët e komunave për t’u dakorduar për menaxhimin e pandemisë, përgatitjet për fillimin e mësimit dhe analizimin e efektit të masave ndaj Covid-19