Mark Rutte - Foto: KALLXO.com

Kryeministri holandez për situatën në veri: Shtensionimi të bëhet nga të dyja palët

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se Holanda dhe Luksemburgu tentojnë të normalizojnë situatën drejt dialogut dhe t’i normalizojnë po ashtu raportet mes Kosovës dhe Serbisë.

Rutte pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ai tha se shtensionimi i situatës është i rëndësishëm edhe për prosperitetin drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Ai shtoi se të dyja palët duhet të punojnë drejt shtensionimit të situatës në vëri.

“Sot i kemi shprehur brengat tona për ngritjen e tensioneve mes Kosovë dhe Serbisë. Holanda dhe Luksemburgu tentojnë të normalizojnë situatën drejt dialogut dhe deeskalojnë situatën, t’i normalizojnë raportet mes dy shteteve. Shpresoj që kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen në rajon, por edhe për prosperitetin drejt integrimit në BE”- tha ai.

Sipas Rutte, drejtimi i gishtit te Serbia apo Kosova si fajtor, nuk e ndihmon situatën.

“Nuk e di nëse duhet të drejtojmë gishtin te fajtori Kosova apo Serbia sepse kjo nuk e ndihmon situatën. Në momentin që BE gjen fajtor, e humbim pozicionin të ndihmojmë”- u shpreh ai.

Sipas tij, palët duhet t’i përmbahen procesit të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

“Në udhërrëfyesin evropian duhet te jenë të dyja palët. Kam pa në Beograd dhe këtu se të gjithë dëshirojnë në shtension të situatës. Të gjithë duhet ti përmbahemi procesit të udhëhequr nga BE”- deklaroi ai.

Kurti pas takimit me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte dhe me atë të Luksemburgut, Xavier Bettel ka thënë se të tria vendet gëzojnë marrëdhënie të shkëlqyera teksa ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Holandës dhe Luksemburgut ndër vite.

Rutte dhe Brettel, sot gjithashtu kanë zhvilluar një takim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte dhe ai i Luksemburgut, Xavier Bettel, u bënë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndërmarrin hapa drejt shtensionimit të situatës dhe të vazhdojnë dialogun drejt normalizimit të marrëdhënieve. Ata i bënë këto komente gjatë një vizite në Beograd ku u takuan me presidentin Aleksandar Vuçiq.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe nisën kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.