Kreshnik Gashi: E gjithë Zona Industriale e Prishtinës është e uzurpuar, këto prona kanë vlerë milionëshe

Autorit i emisionit “Drejtësia në Kosovë”, Kreshnik Gashi, ka thënë se Zona Industriale e Prishtinës në drejtim të Fushë-Kosovës është e uzurpuar dhe për të nuk është marrë ndonjë veprim tash e 20 vite.

Gashi në debatin “Jeta në Komunë” ku u diskutua për pazaret milionëshe me prona tha se vlera e këtyre pronave është shumë e madhe dhe ky problem i uzurpimit është i shfaqur në shumë komuna të mëdha në Kosovë.

“Për ta ilustruar problemin e mospublikimit të listës së uzurpatorëve mjafton të nisesh në drejtim të Fushë-Kosovës dhe të shohësh gjithë Zonën Industriale të Komunës së Prishtinës dhe e kupton që diku 15 deri 20 metra skaj rrugës është pronë komunale ku për 20 vite nuk është marr asnjë veprim për lirim të tyre. Këto prona kanë vlera miliona euro, dhe sjellin përfitime milionëshe për bizneset skaj rrugës. Nuk paguajnë taksa. Situata të ngjashme gjen në shumicën e komunave të mëdha në Kosovë. Raste të tilla ka edhe në Prizren, Pejë, Gjilan” ka thënë Gashi.

Gashi tutje ka shtuar se shumica e pronave komunale janë në zonë urbane kurse ato të AKP janë toka bujqësore duke shtuar edhe shfrytëzimin e tyre nga biznese që financojnë parti politike.

“Dallimi mes AKP dhe pronave komunale duhet ta kuptojmë se shumica e pronave komunale janë në zona urbane, ku vlera e një ari tokë është deri 1 milion euro. Përfitimet prej tyre janë shumë më të mëdha se nga tokat bujqësore që i ka menagjaur AKP. Ne kemi identifikuar edhe lidhjen mes partive politike në shfrytëzimin e këtyre pronave, në një pjesë të madhe qëndrojnë biznese që financojnë partitë politike, po flas për pronat që janë marr në shfrytëzim ose janë uzurpuar dhe kanë pasur ndikim në partitë politike. Po ashtu ka raste kur prona komunale është poërdorur edhe nga familjarë të kryetarëve të komunave,” shtoi tutje Gashi.

 

Më 20 korrik 2020 në Kuvendin e Kosovës është themeluar një komision për hetimin e privatizimit të proonave shoqërore që është bërë nga ish Agjensioni kosovar i privatizimit.

Ky komision po heton se si janë shitur tokat në vlerë prej dy dhe tre euro për ari.