Vjosa Osmani - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com
Krejt çka ndodhi në takimet e Osmanit për çështjen e grevës
E para e shtetit, Vjosa Osmani, sot një pjesë të ditës e ka ndarë për takime me përfaqësues të ndryshëm për të diskutuar për grevën e përgjithshme që është duke u mbajtur në Kosovë nga një pjesë e punëtorëve publikë.
Këshilli i Prindërve të Kosovës kërkoi që mësimi të fillojë sa më parë ndërsa nga SBASHK-u thanë se greva do të vazhdojë.
Pas takimit me presidenten, kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, kërkoi që mësimi të fillojë të hënën.
“Ne vazhdojmë të besojmë qe e drejta kushtetuese e fëmijëve tanë për të shkuar në shkolla nuk mund të cenohet me asnjë të drejtë, qoftë edhe me arsye materiale apo të tjera” – tha ai.
Tutje Demi shtoi se nuk është roli i tyre që të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar.
Ai tha se kanë shprehur para Presidentes vlerësimin e prindërve që bllokimi i plotë i sisitemit arsimor është i papranueshëm dhe si i tillë e shkelë rëndë të drejtët e fëmijëve.
Një vlerësim të tillë ai tha se e kanë shprehur edhe për të tjerët.
“Ia kemi shprehur këtë vlerësim edhe SBASHKU-t, e kanë dëgju por edhe i kanë argumentet e tyre. Ne e respektojmë të drjetën e mësimëdhënësëve për mirëqenje dhe do donim që ata të kenë një pozitë më të mirë sepse ajo reflktohet edhe në procesin arsimor dhe edukues të fëmijëve tanë, por jo duke e pamundësuar të drejtën e tyre, pra të fëmijëve tanë” – u shpreh Demi.
Pas takimit me këtë të fundit, presidentja e vendit në zyren e saj priti edhe përfaqësuesit e SBASHK-ut.
Pas bisedave që kishin dy palët brenda presidencës, kryesuesit i SBASHKU-t, Rrahman Jashari, u pronocua para mediave duke thënë se greva prapë do të vazhdojë.
Jashari këtë ditë e cilësoi si të veçantë për sindikalistët, pasi për ta kishte gjetur kohë e para e shtetit.
Madje ai tha se Osmani i pranoi si legjitime kërkesat e grevistëve.
“I thamë edhe asaj që problemi deri këtu ka ardh në mungesë të dialogut me Qeverinë e Kosovës. Ne e lutem atë që të shfrytzësoj autoritetin e saj që të ndikoj që nga sot ose nesër të ulemi me përfaqësuesit e qeverisë ngase kjo pako nuk është realizim i kërkesave tona” – u shpreh Rrahmani duke iu referuar pakos së re të Qeverisë ku zyrtarët publikë do të marrin nga 50 euro.
“Qeveria mund të jap pako dhe ne i gëzohemi cdo ndihme që jepet në Kosovë, por qeveria duhet të ulet me ne dhe t’i realizojë kërkesat tona” – tha ndër të tjera Jashari.
Sa i përket vlerësimit që do të bëhet në personelin arsimor dhe deklaratave për prodhimin e analfabetëve Jashari i dha mendimet e tij.
“Të bëhet një vlerësim i tillë për arsimin në Kosovë nuk e ka bërë askush. Arsimi është ky që është, por nëse prodhohen 67% analfabetë në shkollat tona, shkollat duhet mbyllur sepse nuk na duhen” – tha ai.
Tutje Jashari shtoi se një shifër e tillë nuk e di se ku është marrë dhe se nuk është e saktë.
“Ka nxënës më të llastuar, 2-3 nxënës që ia kanë falë notat, por të tjerët kanë qenë të mirë e të shkëlqyeshëm” – u shpreh kryetari i SBASHK-ut.
Ai gjithashtu tha se edhe nëse ndodh kjo, nuk është faji i tyre. Pasi SBASHK-u nuk bën planplograme dhe as nuk merr kuadro në shkolla.
Sipas Jasharit, presidentja i ka lutur që për hir të fëmijëve të kthehen në shkollë.
“Ajo na luti, unë i thash që pikërisht për hirë të fëmijëve ne kemi bërë të pamundurën që të shpëtojmë vitin e kaluar shkollorë. E kemi filluar grevën me herët për t’i dhënë hapësirë qeverisë” – tha Jashari.
Kujtojmë që një grevë e përgjithshme është duke u mbajtur në Kosovë që nga 25 gushti nga një pjesë e punëtorëve të sektorit publik.
Sot, kryeministri Albin Kurti së bashku me ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, në një konferencë për media prezantuan një pako të re për të përballur inflacionin.
Në këtë pako kanë qenë të përfshirë edhe zyrtarët publikë për të cilët është thënë se do të ndahen nga 50 euro nga muaji shtator.
Tutje është thënë se kjo pako përfshinë subvencionimin e faturës së rrymës për ata që kursejnë energji elektrike, dyfishimin e asistencës sociale, 100 euro për pensionistët, studentët dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike, subvencionim prej 50 për qind të rritjes së pagës deri në 100 euro për punëtorët e sektorit privat për tre muajt e parë dhe projektligji për punë publike për kompensimin e inflacionit për materiale ndërtimore dhe punë përcjellëse.