Krasniqi: Qeveria e ka pezulluar politikën e jashtme

Deputetë të Kuvendit të Kosovës nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës sa i përket politikës së jashtme.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se Qeveria Kurti e ka pezulluar politikën e jashtme.

Krasniqi ka thënë se debati për politikën e jashtme nuk është ftuar vetëm për shkak të sipas tij, skandaleve të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla.

“Nuk e kemi ftuar vetëm për shkak të skandaleve të ministres së jashtme, por për shkak të asaj që mund ta quajmë pezullim të plotë të politikës së jashtme sepse kjo e dyta është problem shumë më serioz se performanca e dobët e një ministri”, ka thënë Krasniqi.

“Kosova s’ka politikë të jashtme dhe ka abstenuar në këtë drejtim. Që nga rrafshi i përfaqësimit diplomatik e deri te reduktimi i politikës së jashtme në turizëm diplomatik pa relevancë. Shkarkimi i paanalizuar i ambasadorëve të Kosovës në qendrat botërore ka prodhuar jo vetëm vakum të pranisë së Kosovës në këto qendra, por ka shkundur besimin e shteteve në Kosovën”, tha Krasniqi.

Tutje ai ka komentuar edhe procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kthyer nga dialogu për njohje të ndërsjelltë në dialog për stikersa të targave të veturave”, ka thënë ai.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se është befasues abstenimi i shumicës parlamentare për të marrë fjalën në emër të grupit për të folur për këtë çështje.

Kurse, ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, tani deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj në seancën e Kuvendit ku po debatohet për politikën e jashtme të Kosovës, ka thënë se këtë debat parlamentar e kanë thirrur sepse kanë ndryshuar rrethanat ndërkombëtare.

“Ne e kemi ftu këtë debat parlamentar se kanë ndryshu rrethanat ndërkombëtare me Kosovën. Kur ndryshojnë rrethanat ndyshojnë edhe qëndrimet. Për qytetarët mund të jetë pakëz e kuptueshme por ndryshimi është si te puna e çmimeve dhe frika jonë që pse e kemi thirrë këtë debat është kur vie fatura politikës së jashtme mund ta thej kurrizin e Kosovës”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka kritikuar mos prezencën e kryeministrit, Albin Kurti duke shtuar se marrëveshja ka qenë që Kurti të ishte prezent kur do të diskutohej rreth politikës së jashtme.

“Kemi pasë një marrëveshje që zoti Kurti të jetë prezent në këtë seancë dhe nëse vjen unë mendoj që ia vlen. Meqë e mora fjalën për më të qenë sa më i respektueshëm me ju nuk do ta shtyej fjalën deri sa të vie ai”, ka thënë Hoxhaj.

“E kemi  kërku këtë seancë qysh në janar. Bota e janarit është e barabartë me borën e janarit, ajo botë nuk ekziston më. Prandaj edhe politika e jashtme është si puna e motit, kur të ndërron shumëçka përfundon. Për këtë arsye kam insistu dhe po insistoj që kryeministri të jetë i pranishëm në këtë debat”, ka shtuar ai.

Hoxhaj ka thënë se nuk pret njohje të reja, anëtarësime apo marrëveshje me Bashkimin Evropian.

“Ju kemi ftuar që të flasim seriozisht për këtë temë dhe unë dua të jem sa më telegrafik, nuk ka njohje dhe nuk pres që ka me pasë njohje, nuk ka anëtarësime dhe nuk ka me pasë anëtarësime. Nuk ka marrëveshje me Be të reja dhe nuk ka me pasë, as liberalizim vizash”, ka theksuar Hoxhaj.

Hoxhaj ka theksuar se në ditën kur Rusia u përjashtuar nga Këshilli i Evropës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka përjashtuar po atë ditë diplomatë.

“Në Strasburg në ditën kur Rusia përjashtohet nga Këshilli i Evropës, zonja Gërvalla i përjashton në Prishtinë atë ditë diplomatët. Në vend që të merret me anëtarësime, merret me përjashtime. Bota e përndjek Rusinë, zonja Gërvalla i përndjek njerëzim brenda shërbimit tonë diplomatik”, tha Hoxhaj.

Ai shtoi se Lëvizja Vetëvendosje në opozitë ka folur se do të redefinojë dialogun por siç tha Hoxhaj Ukraina po e redefinon dialogun.

“VV ka folur shumë gjatë në opozitë që do ta redefinojë dialogun, nuk e ka bërë. Por, Ukraina po ia redefinon dialogun. Ylli polar i politikës tonë të jashtme ka qenë antarësimi i Kosovës në OKB. Nëse ju pritni që ka marrëveshje për njohje të ndërsjellë dhe ambasadori rus dhe kinez, e ngrit dorën në OKB me antarësu  Kosovën për t’i ndihmu perëndimit edhe Evropës mendoj që është naivitet”, shtoi Hoxhaj.

Hoxhaj gjithashtu tha se dialogu për anëtarësimin në Kombet e Bashkuara (OKB) ka vdekur.

“Dialogu politik për antarësim në OKB ka vdek, për tabela zotëri Bislimi mund ta vazhdoni dialogun, për ulëse në OKB nuk do të ketë asgjë. Kuvendi i Kosoës duhet të flas për këtë temë në një sreancë të veçantë”, ka deklaruar Hoxhaj.

Kuvendi i Kosovës po mban dot seancë me një pikë të rendit të ditës, debat parlamentar në lidhje me zhvillimet e politikës së jashtme të Kosovës.