Memli Krasniqi - PDK

Krasniqi-Kurtit: Dialogu nuk është çështje private mes teje dhe Vuçiqit

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi i është drejtuar kryeministrit i vendit, Albin Kurti, duke i thënë të “mos fshihet, të mos mashtrojë e të mos luajë rolin e shpëtimtarit apo tradhtarit” në raport me dialogun Kosovë- Serbi.

Krasniqi tha se për PDK-në, mjafton që Kurti ta ushtrojë përgjegjësinë si kryeministër.

“Dua të ia bëj të qartë kryeministrit se në raport me dialogun nuk ka nevojë as të fshihet, as të mashtrojë, as të luajë rolin e shpëtimtarit e as të tradhtarit. Për PDK mjafton që ai të ushtrojë përgjegjësinë konkrete, ligjore dhe kushtetuese që e ka kryeministër, të dialogojë dhe të arrijë marrëveshjen që e respekton identitetin dhe sovranitetin shtetëror e kushtetues të Kosovës”- tha ai.

Krasniqi kërkoi nga kryeministri, që veprimet që i ndërmerr për çështjen e dialogut t’i bëjë në mënyre transparente e jo të njoftojë që siç tha kreu i PDK-së “në një restorant, me një biftek përpara por këtu në Kuvend ku janë përfaqësuesit e vendit”.

“Këtë ta bëjë në mënyrë transparente sepse proceset qeverisëse janë çështje teknike dhe politike por rezultatet bëhen realitete shoqërore e shtetërore. Nuk ka nevojë me fshehë prej Kuvendit dhe deputetëve asnjë prej pozicioneve që qëndron sot kryeministri në raport me planin evropian. Nuk ka nevojë me na njoftu që e ka pranuar këtë plan në një restorant, me një biftek përpara por këtu në Kuvend ku janë përfaqësuesit e vendit”- tha Krasniqi.

Ai shtoi se procesi i dialogu nuk është çështje private mes Kurtit dhe Vuçiqit por mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk ka nevojë, nuk është as demokratike, as fisnike e as parimore që këto zhvillime ti bësh në mënyrë jo transparente, duke pranuar planë ndërkombëtare në twitter e duke heshtur në facebook sepse ti duhet të jesh i vetëdijshëm se dialogu si proces nuk janë çështje private me teje dhe Vuçiqit por janë çështje shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë”- shtoi ai.

Më tej, kreu i PDK-së theksoi se përballë Serbisë dhe pretendimeve të saj të jenë bashkë që sipas Krasniqit, Kurti duhet të arrijë qëndrimet dhe qëllimet shtetërore të qytetarëve përmes marrëveshjes finale që përbën njohjen reciproke mes vendeve.

“Ne si PDK për dialog, kryeministër nuk të kemi penguar e as linçuar, as nuk të kemi hedhur gaz lotsjellës e as koktej mollotovi, përkundrazi të kemi mbështet sepse përballë Serbisë dhe pretendimeve të saj jemi bashkë kështu që krejt çka duhet të bësh është të arrish qëndrimet dhe qëllimet shtetërore të qytetarëve përmes marrëveshjes finale që përbën njohjen reciproke mes vendeve”- u shpreh Krasniqi.

“Mbështetjen e ke, qëllimet janë publike, rezultatet i presim. Prandaj të ftoj që të bëhesh serioz ta kuptosh përgjegjësinë që kie e ta ushtrosh në mënyrë transparente sepse qytetarët e Kosovës nuk janë të pa intersuar ashtu siç po i konsideron ti nganjëherë”- tha mes tjerash ai.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas drekës me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, të hënën tha se Kosova e pranon propozimin e BE-së, i njohur si plani franko-gjerman.

Ndërkaq pas vizitës në Kosovë dhe Serbi, Lajçak tha se tashmë edhe Kosova ka pranuar propozimin e BE-së në parim.

Vizita në Kosovë e Serbi, Lajçak paralajmëron takim të nivelit të lartë