Foto: Memli Krasniqi/Facebook

Krasniqi kërkon nga Viola von Cramon të avokojë që BE t'ia heqë sanksionet Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se sot në selinë partisë ka takuar raportuesen për Kosovën në Parlamentin Europian, Viola von Cramon.

Krasniqi ka bërë të ditur se me raportuesen von Cramon ka diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në vend, duke mos lënë anash as procesin e integrimit europian të Kosovës.

“Raportuesen von Cramon e falënderova për mbështetjen e vazhdueshme që Parlamenti Evropian në përgjithësi, por edhe ajo veçanërisht, i ka dhënë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Nga raportuesja von Cramon kërkova që ajo të avokojë edhe për heqjen e sanksioneve të BE-së kundrejt shtetit tonë. Qytetarët e Kosovës nuk duhet të penalizohen padrejtësisht si pasojë e papërgjegjësisë politike të një Qeverie të paaftë.”- ka shkruar Krasniqi.

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, po zhvillon një vizitë në Kosovë me ç’rast është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.