Valmir Elezi, KQZ

KQZ-ja fillon publikimin e formularëve në web faqe për partitë dhe kandidatët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar të publikoj formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe kandidateve të zgjedhjeve të parakohshme.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi në një konferencë, duke thënë se kjo po bëhet me qëllim të transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor.

“Me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur në ditën e dielën”, tha Elezi.

Sipas tij të gjithë të interesuarit mund të shohin rezultatet e subjekteve politike dhe kandidatëve në secilin vendvotim duke shfletuar kopjet e formularëve të cilat janë plotësuar në vendvotim nga anëtarët e këshillave të vendvotimit të dielën në mbrëmje pas numërimit të fletëvotimeve.

“Publikimi i formularëve nga komunat e Kosovës është në proces pas përfundimit të skanimit të atyre formularëve, ata formular ngarkohen dhe publikohen në web faqen e KQZ. Ky publikim nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare por këto janë forma të rezultateve të plotësuara në vendvotime nga anëtarët e këshillave të vendvotimit”, tha Elezi.

Ky proces i sipas tij është i domosdoshëm para se të filloj numërimi i votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe votimeve me postë.

“Rezultatet Përfundimtare shpallen pas numërimit të votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta, votave përmes postës dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në QNR”, tha Elezi.

Elezi ka thënë se skanimi i listës përfundimtare të votuesve, bëhet për të parë nëse ka ndonjë rast nëse ndonjë person ka votuar në vendvotimin e rregullt dhe votimin me kusht.

Elezi tha se gjatë periudhës së votimit përmes postës KQZ ka pranuar rreth 43 mijë e 500 pako të supozuara me fletëvotime nga jashtë vendit.