Foto: KPMM

KPMM: Për katër muaj, 9 kallëzime penale për aktivitete hulumtuese të jashtëligjshme

Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka bërë një analizë mbi aktivitetet hulumtuese dhe minerare, si pasojë e situatës së krijuar nga pandemia Covit-19.

KPMM ka shtyrë të gjitha pagesat dhe obligimet financiare të ndërmarrjeve në këtë institucion deri me 30 qershor 2020 pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19.

Minierat me të mëdha për nga numri i punëtoreve dhe kapaciteti i prodhimit si: “Trepça” SH.A, KEK-u, “Neëco Ferronikeli Complex” LLC dhe “Sharr Cem” kanë vazhduar prodhimin, inspektorët e KPMM-së kanë monitoruar dhe mbështetur aktivitetin e tyre dhe sipas nevojës kanë asistuar konform detyrave dhe përgjegjësive ligjore.

Në komunikatë thuhet që KPMM si kontribues i tretë në Buxhetin e vendit me rreth 31 milion Euro vjetore, gjatë tremujorit të pare të këtij viti të hyrat që ka realizuar në krahasim me tre mujorin e vitit 2019 janë për 7,5% më të larta.

Sipas komunikatës, të hyrat e përgjithshme gjatë periudhës janar-prill 2020 janë 7,919,473.78 €,  në krahasim me janar-prill të vitit 2019 të hyrat kanë qenë 6,552,855.00 €, pra të hyrat e përgjithshme   janë për 2.3% më të larta dhe kjo tregon një ngritje dhe një stabilitet financiar të institucionit të KPMM-së.

Në  analizën e aktiviteteve nga minimet sipërfaqësore, vërehet një rënie e aktivitetit minerar nga viti 2019 në atë 2020 për rreth 19%, përkatësisht vitin  e kaluar, janar-prill 2019 ka pasur 86 minime sipërfaqësore, ndërsa periudha e njëjtë e këtij viti ka pasur 70 minime, ka njoftuar KPMM përmes komunikatës

Ndërsa, nga minimet në minierat nëntokësore, aktiviteti minerar nëntokësor duket të jetë i balancuar, 20% më shumë ka pasur minime në këtë vit, përkatësisht janar-prill 2019 ka pasur  20 minime nëntokësore, ndërsa në 2020 ka pasur 24 minime nëntokësore.

Në komunikatë tutje thuhet që aplikime për licenca dhe leje për periudhën janar-prill 2020 janë regjistruar 58, ndërsa periudha e njëjte e vitit të kaluar kanë qenë 101 kërkesa për licenca dhe leje, që sipas kësaj 42% ka qenë rënia e aplikimeve për licenca dhe leje.

Ndërsa, licenca dhe leje të aprovuara për periudhën janar-prill 2020 janë regjistruar 50, ndërsa periudha e njëjtë e vitit të kaluar kanë qenë 101 licenca dhe leje, që sipas kësaj 50% ka qenë rënia e dhënies së licencave  dhe lejeve.

Në në listën e kallëzimeve penale për periudhën janar –prill 2020 janë të evidentuar 9 kallëzime penale, kurse vitin e kaluar kanë qenë 3 kallëzime penale për këtë periudhë. Shprehur në përqindje periudha e lartëcekur e  vitit 2020 krahasuar me periudhën e vitit të kaluar është 66%  ngritje të kallëzimeve penale.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.