Cili ishte arsyetimi i anëtarëve të bordit të KPMM-së për vizitën e planifikuar në Izrael?

Kryesuesja e bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Selvete Grajqevci Pllana, ka thënë se anëtarët e bordit të KPMM-së kanë kërkuar të bëjnë vizitë në Izrael vetëm për t’u shëtitur.

“Kanë bo kërkesë me shku jashtë me gjysmë orari, e bënë një kërkesë me shku në Izrael, edhe thash pse po shkoni atje, tha s’kemi qenë kurrë. Nuk di a na jepet mundësi më. Kishin pasë kontakt me dikë prej ambasadës” – tha ajo.

“Unë nuk jua nënshkrova, ata janë hatëru, janë ndi keq, edhe këta nuk kanë ditë qysh me ma gjetë një ‘vang” me m’hjekë se i kam pengu, nuk kanë ditë çka me bo dhe kanë thanë pe presim momentin kur t’i bën 65 vjet dhe e largojmë në mënyrë automatike” – shtoi ajo.

KALLXO.com ka kontaktuar anëtarët Jahir Gashi dhe Rrezarta Pushkolli-Makolli, të cilët kanë mohuar të kenë kërkuar vizitë në Izrael.

Ndërsa anëtarët Gani Maliqi dhe Gani Kastrati kanë arsyetuar kërkesën e tyre për këtë vizitë.

“Nuk kemi shkuar por ka qenë një diskutim i hapur me anëtarë te Bordit dhe me Menaxhmentin pasi qe Izraeli është shtet i cili i ka mjaft të rregulluara veprimtarinë minerare për gurore dhe disa miniera tjera sipërfaqësore (ka 88 gurore aktive dhe 2000 gurore jo-aktive dhe të braktisura). Duke qenë se guroret në Kosovë janë në gjendje të keqe duke mos respektuar planin e shfrytëzimit e mbrojtjen e mjedisit kemi dashur të shohim mënyrën se si rregullatori për licencim i Izraelit e ka zgjidh këtë problem, pasi janë të avancuar në problematiken e guroreve. Edhe Ambasada e Kosovës në Izrael është angazhuar për realizimin e vizite te mundshme” – ka thënë Gani Maliqi.

“Duke qenë se guroret në Kosovë janë në gjendje të keqe duke mos respektuar planin e shfrytëzimit e mbrojtjen e mjedisit kemi dashur të shohim mënyrën se si rregullatori për licencim i Izraelit e ka zgjidhur këtë problem, pasi janë të avancuar në problematikën e guroreve” – ka shtuar ai.

Edhe Kastrati, ashtu si Maliqi, ka thënë që ka qenë diskutim i hapur dhe jo kërkesë specifike.

“Nuk kemi shkuar por ka qenë një diskutim i hapur me anëtarë te bordit dhe me menaxhmentin pasi që Izraeli është një shembull i mire në botë se si e ka zgjidhur problemin e mbrojtjes se ambientit për rikultivimin e guroreve të cilat në Kosovë janë çështje problematike” – ka thënë ai.