Ministria e Drejtësisë; Fotografi: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kosovës i rrezikohen 300 milionë euro nga arbitrazhet

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi tha që Kosova aktualisht i ka të rrezikuara 300 milionë euro nëpër arbitrazhe.

Ai tha se rastet që e kanë dërguar në arbitrazh janë në proces e për disa kanë angazhuar kompani të huaja për t’i mbrojtur.

“Kjo çështja Iute Credit është në fazën fillestare. Ne jemi në proces me Qeverinë e Kosovës të hapim një mundësi që avokatët dhe një kompani e huaj premium të jetë në një proces transparent ta mbrojë shtetin atje. Është rrezik për shkak se ligji për investime të huaja direkte e ka një normë që e lë të gjerë hapësirën që të shkojë në arbitrazh” tha Selimi në një konferencë për media.

Institucioni mikrofinanciar “Iute Credit”, të cilit i është marrë licenca nga Banka Qendrore e Kosovës, në fillim të këtij viti ka dërguar Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë,  me arsyen se BQK-ja nuk ka dhënë një shpjegim ose zgjidhje në lidhje me heqjen e papritur të licencës.

Selimi tha se Kosova së fundmi ka fituar dy raste që i ka mbrojtur avokatja Ilire Tasholli-Ajdogan ka të bëjë me një kontekst në të cilin Kosova i ka mbrojtur dhe fituar 1.8 milionë euro.

Ndërsa, sipas tij rasti tjetër është i ai i avokatit shtetëror Arsim Zuka, i cili në Gjykatën e Vjenës në Austri i ka mbrojtur dhe fituar 1 milionë euro.

Sami Istrefi për KALLXO.com tha se njëri rast ka qenë lëndë ekonomike , tjetra kompensim dëmi në Vjenë.

“Një qytetar i joni me shtetësi autriake ka shkaktuar aksident në Fushë-Kosovë tek kjo pjesa e hekurudhës.Edhe aty ka shkatuar një aksident me Trainkos-in edhe pastaj ai e ka paditur Trainkos-in që më pas e ka paditur Qeverinë e Kosoëvës. Edhe pastaj e kemi fituar në gjykatë në Vjenë” tha Istrefi.

Ndërsa për rastin e dytë tha  se ka qenë lëndë ekonomike, e cila është fituar në gjykatat vendore.

“Zakonisht tek operatorët ekonomikë të cilët kërkojnë kompensim  të dëmeve ose për fushën e kontrattave të vlerave të mëdha financiare” tha ai.

Avokati i Përgjithshëm Sami Istrefi në konferencë tha se Avokatura Shtetërore në periudhën janar-tetor në gjykatat e rregullta të Kosovës ka mbrojtur rastet me vlerë të kontekstit 10 milionë e 183 mijë euro.

Ai tha se avokatja Ajdogan në periudhën janar-tetor ka të fituara 2 milionë  e 57 mijë e 799 euro lënëtë fituara. Ndërsa ai tha se Zuka i ka të fituara 610 mijë euro në këtë periudhë ndërsa të humbura 106 mijë.

Ministri Selimi tha se Avokatura Shtetërore i ka pranuar 1 mijë e 935 lëndë në vitin 2020, ku i ka fituar 462 prej tyre  307 janë në ankesë në Gjykatë të Apelit e tjerat janë në proces.