'Kosovë e shëndetshme 2', projekt me vlerë rreth një milion euro

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në Kosovë, së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe Vullnetarët e OKB-së (UNV), kanë lansuar projektin “Kosovë e Shëndetshme 2” që do të financohet nga Dukta e Madhe e Luksemburgut do të kap shifrën 930 mijë euro.

Ky projekt që do të zgjasë dy vite, do të fokusohet në ndotjen e ajrit dhe ndikimin e tij në shëndetin e njeriut dhe promovimin e një shoqërie që i bën ballë kërcënimeve mjedisore që i bëhen shëndetit.

“Kosovë e Shëndetshme 2” erdhi si rezultat i të arriturave dhe sukseseve që i solli projekti “Kosovë e Shëndetshme 2018-2020”.

Në një takim të mbajtur në mes palëve përfshirëse dhe disa mysafirëve Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson theksoi se është një urgjencë për sistemin e OKB-së që mjedisi të bëhet një prioritet ndërsektorial.

“Ne jemi krenarë që sot, mu në kohë të duhur, lansojmë fazën e dytë të projektit Kosova e Shëndetshme”, shtoi ajo.

Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Maria Suokko tha se në Kosovë përmirësimi i cilësisë së mjedisit dhe rrjedhimisht shëndetit të njerëzve, është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

“Duke mos u kujdesur për mjedisin që na rrethon, ne nuk kujdesemi për veten”, ka shtuar ajo.

Ndërsa, ushtruesja e detyrës së Ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku shprehu përkushtimin e saj për mbështetjen e projektit.

“Ministria e Shëndetësisë është e përkushtuar që të sigurojë një partneritet të fortë gjatë gjithë zbatimit të projektit, si dhe nismave të ngjashme në të ardhmen, dhe do të ketë përkushtim të plotë në procesin e ngritjes së kapaciteteve, koordinim, dhe zbatimin e përbashkët të Kosovë e Shëndetshme”, tha Gexha-Bunjaku.

Në anën tjetër, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Luksemburgut, Natacha Gomez theksoi se puna e përbashkët e agjencive të OKB-së ka një potencial të madh për të krijuar ndikim.

“Zbatimin e përbashkët të projektit nga agjencitë e OKB-së, Luksemburku e sheh si një forcë thelbësore të projektit. Duke punuar me UNDP-në – me ekspertizë në mjedis, OBSH-në – që është organizata udhëheqëse globale shëndetësore dhe UNV-të – për të angazhuar komunitetin, ne jemi në një partneritet të fortë me potencial të madh për të krijuar ndikim”, ka thënë Gomez.

Ngjarja u përmbyll me një prezantim mbi qëllimet e projektit Kosovë e Shëndetshme 2 nga UNDP, OBSH dhe UNV dhe një sesion interaktiv i cili ishte një mundësi për pjesëmarrësit që të diskutojnë temat e përgjithshme.