Ilustrim
Kosovarët gjatë muajit shtator morën 166.6 milionë euro kredi e depozituan 87 milionë
Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ka bërë të ditur se kosovarët gjatë muajit shtator të këtij viti kanë marrë 166.6 milionë euro kredi të reja, ndërsa kanë depozituar 87.02 milionë euro në banka.
Në raportin e BQK-së për statistikat bankare për shtator 2023, thuhet se vlera e kredive bruto ka arritur në 4.79 miliardë euro, ndërsa shuma e depozitave të klientëve është 5.89 miliardë euro.
“Norma mesatare e interesit në depozita ishte 2.43% ndërsa në muajin gusht ka qenë 2.52%, kurse norma mesatare e interesit në kredi ishte 6.51% përderisa në muajin gusht ishte 6.70%” – thuhet në raport.
Raporti kredi – depozita, sipas BQK-së, për muajin shtator 2023 ishte në nivelin 81.9%, kurse margjina e normës së interesit kredi – depozita ishte 4.08%.
Në anën tjetër, në raport po ashtu bëhet e ditur se mbi 7 miliardë euro janë asetet e bankave komerciale në Kosovë dhe investimet e tyre jashtë vendit janë rritur për 43.2 milionë euro, krahasuar me muajin gusht 2023.
Sipas raportit, kapitali i bankave komerciale për këtë muaj ishte 821.3 milionë euro.
Mbi 800 milionë euro kapitali i bankave komerciale në Kosovë