Foto: Ilustrim

Kosova importoi mbi 16 milionë euro energji elektrike në dhjetor

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka thënë se gjatë muajit dhjetor të vitit 2022 janë importuar mbi 16 milionë euro energji elektrike. Kjo pasi prodhimi i energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) nuk mbulon kërkesën për konsum.

KEDS në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se konsumi maksimal shkon deri në 1200 MW/h ndërsa prodhimi i KEK është 750 MW/h. Pra 450 MW/h sigurohen nga importi i energjisë elektrike.

“Konsumi maksimal po shkon deri në 1200 MW/h në orët e pikut. Një pjesë e këtij konsumi, realisht 800-900 MW/h është duke u prodhuar nga kapacitetet vendore, ndërsa pjesa e munguar importohet. Por, pavarësisht që jemi në situatë emergjente elektrike, prapë se prapë komplet kërkesa për konsum është duke u mbuluar, pra jemi duke siguruar energji elektrike për të gjithë konsumatorët pa ndërprerje. Për shembull vetëm për muajin dhjetor ne kemi importuar mbi 16 milionë euro energji elektrike”- tha KEDS për KALLXO.com.

Prodhimi aktual i Korporatës Energjetike të Kosovës për 24 orë është 17,808MW/h apo rreth 750 MW për orë.

Sipas bursës hungareze të energjisë, HUPX Hungarian Spot Index, çmimi i një megavati sot po shitet 143 euro ndërsa në pikun e shpenzimit të energjisë ajo po shitet 170 euro.

1,855 MW/h KEK-u është duke i marrë nga Korporata Energjetike e Shqipërisë, duke u bazuar në memorandumin që kanë arritur në muajin qershor.

Për shkak të krizës energjetike në Kosovë në gusht të vitit 2022, Kosova është përballur me reduktime të energjisë elektrike. Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, kishte njoftuar se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë energji elektrike andaj do të furnizohen vetëm nga prodhimi vendor.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mosprodhimit të sasisë së duhur të energjisë  nga KEK.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në shkurt të vitit ishte zotuar që të ndaheshin 90 milionë euro duke pasur parasysh rritjen enorme të çmimeve të importit, rrjedhimisht krizën energjetike në të cilën ndodhet vendi.

Ndërsa në gusht kishte ndarë 41 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt.