Ilustrim

Qeveria ndan pjesën e parë të subvencionit për energjinë, të zotuar në shkurt

Qeveria e Kosovës sot ka ndarë 41 milionë euro si pjesë e parë e subvencionit prej 90 milionë euro për energjinë, të zotuar në muajin shkurt.

“Qeveria ndau mjete buxhetore për zbatimin e masës 3.7 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike – Mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, si dhe miratoi vendimin në lidhje me zotimin e ndërmarrë më parë nga Qeveria për të subvencionuar tarifat e konsumatorëve, në vlerë 41 milionë euro” – thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Edhe Ministria e Ekonomisë përmes një komunikate ka njoftuar se kjo ndarje është për periudhën shkurt- korrik 2022.

“Kjo shumë është pjesë e zotimit prej 90 milionë euro të dhënë nga Qeveria e Kosovës në shkurt të këtij viti si rrjedhojë e shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike nga ana e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, me qëllim të zbutjes së ndikimit të rritjes së tarifave tek konsumatorët. Ndërkaq, nga shuma prej 10 milionë euro të ndara tek KEK për subvencionimin e energjisë elektrike në janar të vitit 2022 janë shpenzuar gjithsej rreth 3 milionë euro”- thuhet në njoftimin e ME-së.

Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në shkurt që 90 milionë euro të ndaheshin duke pasur parasysh rritjen enorme të çmimeve të importit, rrjedhimisht krizën energjetike në të cilën ndodhet vendi.

Teksa shumë vende evropiane po përballen me krizë energjetike për shkak të çmimeve të larta,  Ministria e Ekonomisë në Kosovë ka njoftuar ditë më parë se aktualisht dy blloqe të termocentralit ‘Kosova A’ dhe një bllok i termocentralit ‘Kosova B’ janë në prodhim, ndërsa TC B2 është në remont, i cili pritet të përfundojë më 26 gusht.

Çmimi për import të energjisë elektrike në bursën e Hungarisë sipas Ministrisë Ekonomisë aktualisht është 430 euro për MgW/h, ndërsa pritet të rritet në sezonin e dimrit.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka njoftuar se më 19 korrik, Furnizuesi i energjisë elektrike – KESCO, ka dorëzuar kërkesë zyrtare për shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave, duke kërkuar dyfishim të tarifave të energjisë.

Pas mospranimit të subvencionit të zotuar nga Qeveria në muajin shkurt të këtij viti, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike – KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e rrymës. KESCO ka propozuar dyfishim të çmimit të energjisë.

Propozimi i KESCO-s është që për konsumatorët familjarë, për bllokun 0 deri në 800 kilovatë, tarifa e lartë të jetë 12.68 centë për kilovat ndërsa tarifa e ulët të jetë 5.43 centë për kilovat.

Ndërsa nëse kalohen 800 kilovatë në muaj, për kilovatët e shpenzuar mbi këtë bllok, KESCO ka propozuar që tarifa e lartë të jetë 23.53 centë ndërsa ajo e ulët 11.09 centë për kilovat.

Ndërsa sipas tarifave të energjisë që kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt,  Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Për kategoritë e tjera, tarifat e reja të propozuara nga KESCO mund t’i gjeni KËTU.

Pak ditë pas kësaj kërkese, KEDS-i, më 14 gusht, bëri të ditur se nuk kanë mundësi financiare të blejnë më energji jashtë vendit.

“KEDS dhe KESCO nuk kanë mundësi financiare më që të nominojmë energji jashtë asaj që prodhohet nga gjeneratorët vendorë. Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi” – thuhej në njoftim.

KEDS kishte njoftuar se nga 15 gushti do të nisin kufizimet e energjisë për shkak të pamundësisë për të blerë energji nga jashtë.

Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar, për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike në vend. Kjo ndarje e mjeteve është bërë përmes Pakos së Ringjalljes Ekonomike ku është shtuar edhe masa 3.7 e cila përmban mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, që do të shfrytëzohet për të subvencionuar importin e energjisë elektrike.

Përmes të njëjtës pako, Qeveria edhe në muajin janar kishte ndarë 10 milionë euro.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mosprodhimit të sasisë së duhur të energjisë  nga KEK.

Evropa tash e sa javë është përfshirë nga kriza energjetike për shkak të rritjes së çmimit të gazit dhe faktorëve të tjerë.

Kriza energjetike në Evropë ka ndikuar edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor. Shumë vende tashmë kanë shpallur krizën energjetike duke përfshirë edhe Kosovën.