Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Sa është kapaciteti i prodhimit aktual në KEK?

Prodhimi aktual i Korporatës Energjetike të Kosovës për 24 orë është 17,808MW/h apo rreth 750 MW për orë.

1,855 MW/h KEK-u është duke i marrë nga Korporata Energjetike e Shqipërisë, duke u bazuar në marrëveshjen që kanë arritur në muajin qershor.

Ndërsa 1,855MW/h energji termike Korporata Energjetike e Kosovës i ofron Termokosit për ngrohje. Në prodhim janë blloqet  B-1, B-2, A-3 dhe A-4 i cili është kthyer në prodhim. Ndërsa blloku A5, i cili ka kapacitet prej 210 megavatësh, pritet të kthehet në funksion në muajin prill.

Në qershor të vitit të kaluar, Kosova dhe Shqipëria kishin nënshkruar një memorandum bashkëpunimi sipas të cilit KEK dhe KESH do të shkëmbejnë energji me njëra-tjetrën kur të kenë teprica në prodhim.

KEK kishte njoftuar se Kosova ka depozituar rreth 120,000 MW/h në Korporatën Energjetike të Shqipërisë.

Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka paralajmëruar një dimër të vështirë sa i përket furnizimit me energji elektrike këtë vit, duke bërë vazhdimisht thirrje për kursim të energjisë elektrike, duke subvencionuar qytetarët që shpenzojnë më pak energji elektrike se vitin e kaluar e të tjerë për blerjen e pajisjeve për ngrohje. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në njërin nga deklarimet kishte thënë se një megavat i energjisë elektrike në sezonin e dimrit mund të shkojë deri në 1,000 euro.

Sipas bursës hungareze të energjisë, HUPX Hungarian Spot Index, çmimi i një megavati sot po shitet 143 euro ndërsa në pikun e shpenzimit të energjisë ajo po shitet 170 euro.

Për shkak të krizës energjetike në Kosovë në gusht të vitit 2022, Kosova është përballur me reduktime të energjisë elektrike. Kompania për distribuimin e energjisë në Kosovë, KEDS, kishte njoftuar se nuk kanë mundësi financiare që të blejnë energji elektrike andaj do të furnizohen vetëm nga prodhimi vendor.

Kosova kishte paguar mbi 200 milionë euro për import të energjisë elektrike dimrin e kaluar për shkak të krizës energjetike dhe mosprodhimit të sasisë së duhur të energjisë  nga KEK.