Kosova futet në kredi për të mbështetur ndërmarrjet publike

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, njoftoi se sot ekzekutivi kosovar aprovoi dy marrëveshje financiare. Vlera e përgjithshme e këtyre marrëveshjeve kap shifrën 41 milionë euro.

Njëra është për ndërtimin e një impianti për ujëra të zeza në Gjilan, ndërsa tjetra për përkrahje të ndërmarrjeve publike.

“Qeveria e Kosovës miraton dy marrëveshje financiare në vlerë prej 41 milionë euro. Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës u aprovua marrëveshja për financimin e projektit për Ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Gjilan, në vlerë prej 11 milionë euro, dhe Marrëveshja me BERZH-in në vlerë 30 milionë euro për kredi emergjente për infrastrukturë vitale”, ka vlerësuar Hykmete Bajrami.

Ministrja e Financave shpjegoi tutje çka përfshijnë marrëveshjet.

“Marrëveshja për Ndërtimin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Gjilan ka për qëllim mbështetjen e projektit të rëndësishëm për mbrojtje të ambientit duke mundësuar trajtim të ujërave të zeza për rreth 76 mijë banorë të Komunës së Gjilanit”, tha ajo në Facebook.

“Marrëveshja tjetër e aprovuar është ajo ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) për financimin e projektit “Kredia Emergjente për Infrastrukturë Vitale”, në vlerë prej 30 milionë euro. Qëllimi i kësaj marrëveshje është t’u ofrojë likuiditet Ndërmarrjeve Publike Qendrore, regjionale dhe lokale përmes ofrimit të kredive me interes të volitshëm për shkak të vështirësive të krijuara nga pandemia COVID-19”, deklaroi Bajrami.