Arkiv - Marshi per te Zhdukurit Foto: Atdhe Mulla

Kosova instensifikon kërkimet për të zhdukurit e kohës së luftës

Kosova ka intensifikuar zhvarrimet e varreve të dyshuara të njerëzve që u zhdukën gjatë luftës së viteve 1998-1999, mes sugjerimeve nga zyrtarët se mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë për të ndihmuar në gjetjen e personave të mbetur të zhdukur.

Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës filloi një zhvarrim të ri të një varri të dyshuar të kohës së luftës këtë javë në fshatin malor të Koshares në perëndim të vendit, ndërsa autoritetet shtuan përpjekjet për të gjetur personat e mbetur të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999.

Zhvarrimet në gjashtë lokacione të tjera kanë përfunduar së fundmi, por eshtrat e vetëm një personi u gjetën, tha për BIRN kreu i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur të Kosovës, Andin Hoti.

“Për qershorin dhe korrikun janë planifikuar disa zhvarrime në qytete të ndryshme, por për shkak të ngarkesës emocionale në familjet e personave të pagjetur nuk mund t’i përmend të gjitha lokacionet”, tha Hoti, babai i të cilit ishte një nga të zhdukurit e luftës.

Një zhvarrim i fundit që dha rezultate ishte në një varrezë në fshatin Leshan, në komunën e Suharekës. Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, tha për BIRN se kërkimi filloi pasi “një person pa eshtra në sipërfaqe ndërsa hapte një varr të ri në varreza”. Eshtrat që u gjetën tani janë dërguar për analizë dhe identifikim të ADN-së.

Zhvarrimet e tjera të fundit u bënë në lagjen Lumbardhe të qytetit të Mitrovicës, fshatrat Planjanë dhe Gjonaj të komunës së Prizrenit dhe fshatrat Hubovc dhe Moqarë në komunën e Kamenicës.

Përveç zhvarrimit të sapofilluar në Koshare, një fshat i vendosur në një terren të vështirë midis Kosovës dhe Shqipërisë, janë ende në pritje urdhrat nga Prokuroria Speciale e Kosovës për kërkime të terrenit në fshatrat Has në komunën e Prizrenit, Javor në komunën e Malishevës dhe Llapushnikut në komunën e Drenasit.

Ka pasur spekulime se prokurorët në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e cila po ndjek penalisht ish-guerrilasit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, duan të kryejnë kërkime për trupa në disa nga këto lokacione.

Dhomat e Specializuara nuk shihen me sy të mirë në Kosovë, ku ato konsiderohen si një përpjekje për të diskredituar luftën e UÇK-së gjatë kohës së luftës për çlirimin nga sundimi represiv serb.

Një ekspert i mjekësisë ligjore në Kosovë tha për BIRN në kushte anonimiteti se varrezat e dyshuara të luftës në fshatrat Javor dhe Llapushnik janë “rastet më të ndjeshme”.

“Ka shumë të ngjarë që në këto vende, për të cilat urdhrat e gjykatës janë ende në pritje, Dhomat e Specializuara do të kryejnë kontrolle në mënyrë të pavarur”, tha burimi për BIRN.

Bazuar në Ligjin e Kosovës për Dhomat e Specializuara, bashkëpunimi me zyrtarët e gjykatës së Hagës është i detyrueshëm, si dhe respektimi i çdo kërkese për ndihmë, urdhër apo vendim të lëshuar nga gjykata apo prokurorët e saj. Kjo përfshin hetimet në vendin e krimit dhe zhvarrosjet e varreve.

Hoti tha se qeveria e Kosovës nuk ka asnjë informacion për ndonjë zhvarrim të bërë nga ekspertët e mjekësisë ligjore nga Dhomat e Specializuara.

BIRN kontaktoi Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, por ajo nuk pranoi të komentojë për ndonjë zhvarrim të mundshëm në Kosovë.

Marrëveshja për personat e zhdukur është “afër”, thotë Vuçiç

Ndërsa hetuesit mjeko-ligjorë të Kosovës kanë shtuar aktivitetet e tyre, aktualisht nuk ka ndonjë zhvarrim në punë e sipër në Serbi, ku trupat e shumë shqiptarëve etnikë që u vranë nga trupat jugosllave dhe policia dhe paraushtarakët serbë gjatë kohës luftës u rivarrosën në një përpjekje masive për mbulim të krimeve.

Varre të mëdha masive u gjetën jo shumë kohë pas luftës në qendrat e trajnimit të policisë në Batajnicë afër Beogradit dhe në Petrovo Selo në Serbinë lindore. Kohët e fundit, një varr masiv që përmban te eshtrat e më shumë se 50 njerëzve u gjet në Rudnicë në Serbinë jugperëndimore në vitin 2013, dhe një tjetër në Kizevak aty pranë, ku u gjetën eshtrat e rreth dhjetë viktimave të kohës së luftës, u gjet në vitin 2020.

Muajin e kaluar, Komisioni i Serbisë për Personat e Zhdukur njoftoi se një zhvarrim ishte ndalur në minierën Stavalji afër Sjenicës në Serbinë jugperëndimore, ku dyshohet se janë varrosur viktimat shqiptarë të Kosovës të luftës në Kosovë, sepse nuk kishte indikacione për mbetje të mundshme mortore në vend.

Veljko Odaloviç, kreu i Komisionit të Serbisë për Personat e Zhdukur, tha se “më shumë se 7,000 metra kub tokë u hoqën nga vendi dhe se u kontrollua çdo metër katror që dyshohej se ishte një varr i mundshëm”.

Kosova u përgjigj duke akuzuar autoritetet serbe për mosbashkëpunim dhe duke thënë se nevojiten më shumë imazhe satelitore të vendit të dyshuar të varrit masiv për të përcaktuar nëse kërkimet duhet të vazhdojnë. Kosova është e bindur se Serbia nuk po bën gjithçka që mundet për të gjetur varret masive të mbetura në një vazhdim të përpjekjes për të fshehur krimet e saj që datojnë që nga koha e sundimit të Sllobodan Millosheviçit.

Por Odaloviç këmbënguli se Serbia “nuk i ka penguar në asnjë mënyrë kërkesat e Prishtinës”, duke argumentuar se kjo u dëshmua nga zhvarrosjet e trupave të 914 shqiptarëve të Kosovës në Batajnica, Petrovo Selo, Liqeni Perucac, Rudnica dhe Kizevak, si dhe zhvarrosje të tjera ku nuk u gjetën mbetje mortore. Ai premtoi se Serbia është e gatshme “të kontrollojë çdo informacion që mund të tregojë zbulimin e varreve individuale dhe masive” dhe këmbënguli se “nuk ka vend për politizim në atë proces”.

Zyrtarët nga të dyja palët kanë lënë të kuptohet se mund të ketë progres drejt një marrëveshjeje që synon të ndihmojë në gjetjen e personave të zhdukur, por, deri më tani, nuk është njoftuar asgjë konkrete. Gjatë dialogut në vazhdim të ndërmjetësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës që synon normalizimin e marrëdhënieve, një nga ekipi negociator i Prishtinës tha se në vitin 2020 kishte pasur një projekt-marrëveshje për të krijuar një komitet të përbashkët me Serbinë që synonte gjetjen e personave të mbetur të zhdukur si rezultat i luftës, por që atëherë nuk janë bërë publike më shumë detaje.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç la të kuptohet gjithashtu javën e kaluar, pas takimit me kancelarin gjerman Olaf Scholz në Beograd, se “ne jemi afër përfundimit të plotë të një marrëveshjeje për personat e zhdukur”. Megjithatë, Vuçiç nuk ka treguar më shumë se çfarë mund të përfshihet në marrëveshje.

Ndërkohë, Serbia dhe Kosova vazhdimisht i kanë kërkuar njëra-tjetrës që të hapin arkivat ushtarake të kohës së luftës në përpjekje për të hedhur dritë mbi varret e fshehura, por ende nuk janë ndërmarrë hapa për ta bërë këtë. Mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon të ketë mosmarrëveshje serioze për çështjen e arkivave të kohës së luftës dhe një progres i rëndësishëm për këtë duket i pamundur.

Kur lufta e Kosovës 1998-1999 përfundoi, gjithsej 6,044 persona u regjistruan si të zhdukur. Pak më shumë se 23 vjet më vonë, më shumë se 1,600 prej tyre, kryesisht shqiptarë etnikë, por edhe serbë dhe romë, ende nuk janë gjetur.