Kurti takohet me drejtuesit e kompanive Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss, u flet për mjedisin e favorshëm në Kosovë për investime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me drejtuesit e kompanive të mëdha gjermane Bosch, Datagroup SE dhe Zeiss.

“Në këto takime Kryeministri Kurti theksoi mundësitë për investime dhe mjedisin e favorshëm në Kosovë, pozitën gjeografike dhe stabilitetin institucional. Ai veçoi rritjen ekonomike, borxhin e ulët publik, popullsinë e re dhe të talentuar, si dhe politikën stabile fiskale” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

“Ai tha se ndikimi i stabilitetit politik vërehet edhe në Investimet e Huaja Direkte, të cilat u rritën me 22%, ndërsa me agjendën ambicioze legjislative të Qeverisë, presim rritje të mëtejme në të ardhmen e afërt” – citohet të ketë thënë kryeministri.

Në takimin me përfaqësusesen e kompanisë Bosch, Tanja Ruckert, Kurti ka thënë se ardhja e kompanive të mëdha globale do të ndihmonte sektorin vendas në rritjen e standardeve të punës, cilësisë si dhe konkurrencës brenda sektorëve.

“Ndërsa gjatë vizitës në Zeiss dhe takimit me drejtuesit e kompanisë Dr. Christian Müller e Dr. Marc Wawerla,  u theksua se me popullatën tonë të re, Kosova është lokacion i favorshëm për mbështetjen e zinxhirëve ekzistues të furnizimit, si dhe një alternativë e re e për investime në arsim, veçanërisht në arsimimin digjital” – thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.