Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Kontrata 24 mijë euroshe që e eliminoi Ismet Sijarinën nga gara për anëtar të bordit të RTK-së

Kandidati për anëtar të bordit të Radio Televizionit të Kosovës, Ismet Sijarina është larguar nga lista prej 18 kandidatëve që do të shkojnë për votim në Kuvend.

Sijarina ishte renditur i gjashti për nga pikët ndër 18 kandidatët e propozuar për në Kuvend nga komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së.

Siç ka njoftuar Komisioni, Sijarina në vitin 2020 ka lidhur kontratë me RTK-në për blerjen e të drejtave të një filmi artistik.

Vlera e kësaj kontrate kishte qenë 24 mijë euro.

Sipas ligjit të RTK-së për zgjedhjen e anëtarëve të bordit të RTK-së, Sijarinës i pamundësohet kandidimi në bazë të nenit 27 të Ligjit për RTK-në, pasi kandidati nuk duhet të ketë interes financiar të drejtpërdrejtë në RTK në dy vitet e fundit.

“I pamundësohet për të qenë anëtar i Bordit të RTK-së, në bazë të nenit 27 të Ligjit për RTK-në, paragrafi 1.6. “ka interes financiar të drejtpërdrejtë ose përfaqëson këtë interes, punon ose ka punuar në ndonjë transmetues në punët e telekomunikimit ose të transmetimit dhe në RTK në dy (2) vitet e fundit”, thuhet në njoftimin e Komisionit.

 

Sipas pikëve, Sijarina është zëvendësuar me kandidatin, Gazmend Vitaku.

Kryesindikalisti i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxhi mbrëmë ka reaguar në lidhje me përfshirjen e Ismet Sijarinës në listën e ngushtë për anëtar të bordit të RTK-së duke thënë se Sijarina ka pasur interes financiar më RTK-në në dy vitet e fundit.

 

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të bordit të Radio Televizioni të RTK-së ka përfunduar fazën e intervistimit të kandidatëve.

Ky komision ka përzgjedhur 18 kandidatë të cilët do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës për votim.