Konjufca takoi ambasadorin Szunyog

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Tomas Szunyog, me të cilin thuhet se kanë diskutuar për rrjedhat e gjithmbarshme politike në vend dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Sipas njoftimit të Kuvendit, Konjufca e njoftoi ambasadorin Szunyog lidhur me zhvillimet e fundit të punës së Kuvendit në zbatimin e obligimeve ligjore për Programin Legjislativ 2021, draftimin e rregullores së re të Kuvendit, e po ashtu edhe për objektivat dhe planifikimet që pritet të jetësohen në punën e Legjislaturës VIII.

Ndërkaq në anë tjetër thuhet se ambasadori Szunyog rikonfirmoi gatishmërinë në dhënien e ndihmës së ekspertizës dhe asistencës teknike për Kuvendin e Kosovës.

“Në takim, veç tjerash, u diskutua edhe për procesin e reformës zgjedhore dhe plotësim-ndryshimin e kornizës ligjore përkatëse, që parashihet në dokumentet strategjike të vendit në procesin e integrimit evropian, siç janë Plani Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit – PKZMSA dhe Agjendës për Reforma Evropiane II – ERA II”, thuhet në komunikatën e Kuvendit.

Tutje bëhet e ditur se bashkëbiseduesit u dakorduan për intensifikimin e bashkëpunimit në drejtim të shtyrjes përpara të agjendës së përbashkët evropiane, si dhe për avancimin e legjislacionit dhe sundimin e ligjit.