Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca në dyvjetorin e sulmit të Rusisë në Ukrainë: Serbia e gatshme të shtyjë përpara planet e Putinit në rajon

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në dyvjetorin e pushtimit të Rusisë në Ukrainë përmes një shkrimi deklaroi se ky sulm i ofroi botës dy opsione, radhitjen nën emrin e lirisë apo nënshtrim e pushtim. Derisa theksoi se Serbia është e gatshme t’i shtyjë planet e Putinit të rajon e Europë.

“Këto dy vite që nga sulmi i Rusisë mbi Ukrainën, shënojnë fazën kur në mënyrë të qartë botës iu ofruan dy propozime, njëri që thërret për radhitje nën emrin e lirisë, dinjitetit dhe demokracisë, e tjetri që dëshiron nënshtrim, pushtim, shfrytëzim dhe krime kundër njerëzimit”- shkroi Konjufca.

“Në këto dy vite, Rusia e Vladimir Putinit ka bërë çmos për ta pushtuar përfundimisht Ukrainën, duke mos ia dalë, por ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të mbjellë destabilitet, pasiguri, shpërqëndrim, luftë dhe përçarje. Me një Serbi të gatshme për t’ shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Evropë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë”- shtoi tutje kryeparlamentari.

Ai tutje theksoi se Kosova është krenare është angazhohet në anën e drejtë të historisë.

“Republika e Kosovës është krenare që angazhohet fuqishëm, pa mëdyshje dhe ambiguitet, në anën e drejtë të historisë, duke iu bashkuar asistencës dhe solidaritetit të botës demokratike ndaj Ukrainës, që ashtu si ne aspiron integrim në NATO dhe Bashkim Evropian”- shtoi Konjufca.

Sipas tij, liria e popujve, sovraniteti i vendeve, është goditja më e rëndë ndaj tiranëve dhe tiranive.

Derisa, mesazhe përkrahse për Ukrainën dha edhe kryeministri Albin Kurti ku u shpreh se Kosova do mbështesë popullin e Ukrainës deri në fitore.

Agresioni i Rusisë në Ukrainë nisi më 24.02.2022, që nga atëherë mijëra njerëz humbën jetën, miliona u shpërngulën e u shkaktuan dëme të mëdha në infrastrukturën e vendit.

Kurti në dyvjetorin e agresionit rus në Ukrainë: Populli ukrainas rezistoi me sukses, i mbështesim deri në fitore