Konjufca në Bruksel: Kosova së shpejti do ta ketë qeverinë e re

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka thënë se Kosova së shpejti do ta ketë qeverinë e re.

Në anën tjetër, partia e Konjufcës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk e kanë finalizuar koalicionin qeverisës, ndërsa kanë mbetur edhe më pak se një javë kohë që në Kuvend të dalë për votim përbërja e qeverisë së re.

Këtë deklaratë Konjufca e ka dhënë në Samitin për Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Bruksel, me iniciativë të kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli.

“Kryeparlamentari Konjufca, para të pranishmëve nënvizoi suksesin e procesit të  zgjedhjeve në Kosovë, dhe u shpreh se pas konstituimit të Kuvendit, Kosova  së shpejti do të ketë edhe Qeverinë e re”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.

Sipas Konjufcës, Kosova është duke u ballafaquar me sfida të shumta në rrugëtimin e saj evropian, përfshirë mos liberalizmin e vizave.

“Pavarësisht nga arritja e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim ne nuk kemi shkuar drejt statusit të vendit kandidat. Kanë kaluar 96 muaj nga kur e kemi filluar dialogun për liberalizimin e vizave dhe sot ne mbesim vendi i vetëm që nuk është liruar nga regjimi i vizave në zonën e Schengen-it”, tha kryetari i Kuvendit të Kosovës.

Sa i përket dialogu Kosovë-Serbi, kryeparlamentari tha, se e kuptojnë plotësisht rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe mbeten të përkushtuar ndaj dialogut me Serbinë, që lehtësohet nga BE-ja.

Lidhur me këtë, ai deklaroi se qeveria e re do të ndërmerr hapa të rëndësishëm në këtë drejtim.

Ai po ashtu foli edhe për pritjet e qytetarëve nga Qeveria e re.

Konjufca vlerësoi se qytetarët presin rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe zgjidhjen e çështjeve të mbetura me Serbinë dhe përmirësimin e mirëqenies ekonomike.

Ai është deklaruar edhe për negociatat për zgjerimin e  BE-së.

“Ne inkurajojmë hapjen e negociatave sa më parë të bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ne besojmë se Samiti i Zagrebit për Ballkanin Perëndimor do të jetë shumë i rëndësishëm për këtë qellim”, citohet të ketë thënë ai.

I pari i Kuvendit të Kosovës, mes tjerash ka thënë se Parlamenti Evropian ka mbetur mbrojtësi i palëkundur i perspektives evropiane për Ballkanin Perëndimor.

“Ne në Ballkanin Perëndimor, e dimë shumë mirë rëndësinë e Projektit Evropian. Qysh prej përfundimit te luftërave të viteve 90, procesi i Integrimeve Evropiane e ka drejtuar shoqërinë tonë drejt demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Shoqëria jonë ka ndërtuar institucione të pavarura, media pluraliste dhe shoqëri civile aktive”.

Në këtë samit po marrin pjesë edhe kryetarët e parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, shefat e grupeve politike të Parlamentit Evropian, si dhe reporterët e Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

Në punimet e këtij Samiti, ndër çështjet kryesore që po diskutohen janë: bashkëpunimi parlamentar dhe e ardhmja e Evropës, me theks të veçantë  procesi i zgjerimit të saj.

Kryetarët e Kuvendeve të Ballkanit Perëndimor me deklaratë të përbashkët për zgjerimin e BE-së