Foto: David Sassoli - Twitter

Kryetarët e Kuvendeve të Ballkanit Perëndimor me deklaratë të përbashkët për zgjerimin e BE-së

Me iniciativë të kryetarit të Parlamentit Evropian, David Sassoli një ditë më herët në Bruksel u mblodh për herë të parë Samiti i Kryetarëve të Parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, i cili synon zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Në këtë takim morën pjesë përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, atë të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, si dhe kryeparlamentarin e Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

Pas Samitit, kryetari i PE-së, David Sassoli deklaroi takimi i tyre ka riafirmuar bindjen e tyre të fortë se Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian ndajnë një fat të përbashkët.

“Ne besojmë me vendosmëri se zgjerimi do të sjellë dobi për njerëzit e rajonit dhe vendet anëtare të BE-së dhe se mund të sjellë pajtim shumë të nevojshëm në lagje. Tani, ne duhet të sigurohemi që kjo vullnet politik përkthehet në veprim”, ka thënë ai.

Përmes një deklarate të përbashkët, i është bërë thirrje Këshillit Evropian që të vazhdojë të mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor bazuar në përmbushjen e kritereve të pranimit dhe të japë një mesazh politik të qartë për hapjen e negociatave të pranimit dhe dhënien e statusit të kandidatit.

“Urgjentisht duhet të japim shtysë të re në procesin e zgjerimit duke dhënë rezultate konkrete. Samiti i Zagrebit duhet të luajë një rol kryesor në këtë drejtim”, thuhet në deklaratë.

“Në përfundimet tona, ne ritheksojmë angazhimin e plotë të parlamenteve tanë për të marrë pjesë në reflektimet mbi një ‘qasje të përtërirë’ për zgjerimin në mënyrë që procesi të bëhet më demokratik, më transparent dhe më i afërt me qytetarët dhe shoqërinë civile”.

Sipas tyre, zgjerimi është një proces që kërkon shumë përpjekje dhe angazhim nga të gjitha palët, dhe parlamentet janë kryesoret për të çuar përpara agjendën e reformës në BE.

“Parlamenti Evropian është i gatshëm të vazhdojë dialogun konstruktiv dhe të mbështesë parlamentet e Ballkanit Perëndimor ndërsa ato lëvizin drejt një të ardhme evropiane”, thuhet në fund të deklaratës së përbashkët pas Samitit.