Konjufca: Lista Serbe po e bojkoton Kuvendin

Kuvendi i Kosovës, nuk ka arritur që t`i hedh në votim tri pikat e para të rendi të ditës për të cilat duhet vota e Listës Serbe.

Votimi në parim i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për vetëqeverisjen lokale, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës dhe zgjedhja e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radha e komunitetit serb.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca ka ftuar përfaqësuesit e komunitetit serb dhe multietnik që të trajtohen këto pika.

“Përfaqësuesit serb dhe multietnik i ftojmë në seancë që këto pika të trajtohen duhet tua japim një epilog sido që të jetë votimi qoftë edhe duke i rrezuar që ta pastrojmë agjendën e të vazhdojmë. Kjo është e çuditshme sepse në kryesi me nënkryetarin e Listës Serbe dhe me nënkryetarin multetnik u pajtuam që këto pika të trajtohen”, tha Konjufca.

Sipas Konjufcës, tri pikat e para nuk janë votuar pasi sipas tij “Lista Serbe po e bojkoton Kuvendin dhe nuk janë të pranishëm”.

Votimi i këtyre pikave ka dështuar disa herë në Kuvendin e Kosovës.