Bojkotimi i seancës nga Lista Serbe shtynë përsëri votimin e Projektligjit për festat zyrtare

Në mungesë të deputetëve të Listës Serbe, Kuvendi i Kosovës ka vendosur që të shtyjë votimin e shqyrtimit të parë për projektligjin nr. 08/L-023 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-064 për festat zyrtare në Republikën e Kosovës.

Votimi i shqyrtimit të parë të këtij projektligji në mungesë të kuorumit është shtyrë edhe në seancën e mbajtur me 19 nëntor.

Fridon Lala nga IRDK-ja tha se Lista Serbe po ia mohon komunitetit egjiptian për të pasur ditën memoriale njëjtë si grupet e tjera etnike në Kosovë.

“Siç po shihet po vazhdon saga e bojkotit të Listës Serbe kështu që ky plotësim-ndryshim i ligjit për festa zyrtare ka nevojë për 2/3 e komuniteteve jo shumicë. Kolegët tonë po shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’ia mohuar një grupi tjetër të drejtën kushtetuese që në këtë rast është komuniteti egjiptian për të pasur ditën memoriale njëjtë si grupet e tjera etnike në Kosovë”, tha Lala.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca tha se pajtohet që është shumë i padrejtë dhe i pandershëm kushtëzimi që po e bën Lista Serbe në këtë rast.

“Shtyhet ky projektligj deri kur të krijohen kushtet e nevojshme për trajtimin e tij”, ka thënë Konjufca.

Shtyhet pika e 6-të e rendit të ditës, Lista Serbe bojkoton seancën e Kuvendit