Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, Foto: KALLXO.com

Konjufca kërkon reagimin ndërkombëtar: Lirimi i menjëhershëm i tre policëve është ultimativ

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca e ka dënuar aktin e rrëmbimit të tre policëve kufitarë të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe.

Ai ka thënë se është akt i cenimit të sigurisë dhe sovranitetit nga Serbia.

Konjufca ka kërkuar nga faktori ndërkombëtar ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës.

“I kërkojmë fuqishëm faktorit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së dhe SHBA-së që ta dënojnë Serbinë për këto akte agresioni kundrejt Kosovës. Lirimi i menjëhershëm i tre policëve të Kosovës është ultimativ”- ka thënë kryeparlamentari.

“Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cenimin e integritetit territorial të Kosovës”- ka shtuar ai.

Sipas Konjufcës, Serbia po dëshmon nuk është e gatshme për asnjë zgjidhje

“Me këtë akt, Serbia në mënyrë të hapur dhe tepër të rrezikshme e ka hedhur poshtë marrëveshjen bazë të normalizimit të marrëdhënieve të pranuar në Ohër dhe Bruksel”- ka thënë ai.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues janë siç thonë ata kidnapuar nga forcat serbe.

Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Tutje në njoftim thuhet se me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion.